Rrëfenjë anonime kineze
Përktheu: Bajram Karabolli
Një mi përherë ishte në ankth, sepse kishte frikë nga macja.
Një magjistari i dhimbset dhe e bën mace.
Por, miu-mace, sa shikon qenin, s’di ku të futet nga frika.
Magjistarit përsëri i dhimbset dhe e bën qen.
Dhe, përsëri miu-qen dridhet se ka frikë nga tigri.
Përsëri, magjistari e ndryshon, duke e kthyer në tigër.
Por, edhe miu-tigër ankohet nga frika e gjahtarit.
Atëherë, magjistari nuk duron dot më dhe e kthen sërish në mi, duke i thënë:
– E shikoj se, përfundimisht, nuk mund të të ndihmoj dot, sepse, sido që të të bëj, ti gjithmonë do të kesh një zemër miu.