Raphael Varane vendosi të largohet nga Përfaqësuesja e Francës në moshën 29-vjeçare.
Vendimi i qendërmbrojtësit të Manchester United për tu pensionuar nga përfaqësuesja ka befasuar të gjithë, por duket se ka qenë një vendim i menduar mirë nga Varane.
Në një prononcim për Canal+, Varane ka treguar arsyet pse vendosi të marrë këtë vendim për tu larguar nga Franca.
“Sa herë që kam veshur këtë fanellë të veçantë kam ndier krenari të pamasë. Përfaqësimi i vendit tonë madhështor për një dekadë ka qenë një nga nderimet më të mëdha të jetës sime”.
“Jam menduar gjatë dhe kam vendosur të tërhiqem nga futbolli ndërkombëtar”, u shpreh Varane gjatë lamtumirës së tij me Francën.
Tutje qendërmbrojtësi francez tha se i dukej sikur po e mbyste vetën me aq shumë ndeshje dhe pa pasur kurrë pushim.
“Sinqerisht që kam dhënë gjithçka, fizikisht dhe psikologjikisht. Kemi orare dhe një kalendar të mbingarkuar. Luajmë gjithmonë, pa pushuar kurrë. Për momentin më duket sikur po mbytem. Më saktë, më duket sikur futbollisti Varane po e mbyt njeriun Varane”, deklaroi lojtari i United.
Ndeshjen e parë për përfaqësuesen franceze Varane e zhvilloi më 22 mars të vitit 2013 në fitoren 3-1 ndaj Gjeorgjisë.
29-vjeçari ka zhvilluar 93 paraqitje me ‘Gjelat’ ku ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar në një tjetër, derisa gjatë 93 ndeshjeve me francezët ka marrë vetëm tre kartonë të verdhë dhe asnjë të kuq.