Telegrafi

VAR-i poli(e)tik: Të qajmë apo të qeshim?

Na kanë lodhë. Shyqyr që po përfundon kjo fushatë … Komente të tilla dëgjohen këto ditë nga ata që janë lodhë prej debateve televizive të kandidatëve për kryetarë komunash.

Por, a e ka dikush idenë se çka do të bëjmë pas 17 tetorit, kur përfundon “zhurma shou” (debatet e kandidatëve) nëpër televizionet tona? Çfarë do të bëjmë ne që për një muaj u mësuam me protagonistët e përzgjedhur nga partitë politike, për të na dhuruar “spektakle” të tilla? Sidomos nëse na ndodhë nata kur ra platforma e rrjeteve sociale të Facebook-ut e ne ishim “të privilegjuar” që mbrëmjen ta kalojmë duke gëlltitur menynë zgjedhore në televizorët tanë.

S’kanë sesi mos të na mungojnë gjithë ata kandidatë, shumica prej të cilëve – nëpër studio televizive – në vend të programeve dhe vizionit qeverisës, shfaqin mosdije dhe nivel të ulët edukativ, sepse niveli intelektual për disa syresh mbetet në dëshirore.

Në krejt këtë sallamadi zgjedhore, përfitueset më të mëdhenj megjithatë janë televizionet.

Për një muaj s’patën nevojë të mendojnë e as shpenzojnë lekë për realizimin e programeve argëtuese, edukative dhe informative.

Në orët e mbrëmjes kot e shtyp butonin e pilotit të televizorit në kërkim të ndonjë emisioni ma ndryshe nga televizioni tjetër.

Në secilin kanal fytyra të njëjta. “Shou” i njëjtë me kandidatë të njëjtë.

E, tek disa nga të kandiduarit nuk shohim tjetër veçse nivelin e partive dhe mjerimin tonë si shoqëri.

Qysh bre ka mundësi që në një komunë të mos gjenden 4-5 persona me nivel mesatar të dijes dhe me pak nivel intelektual?

Nejse.

Edhe për disa ditë do ta kapërdijë opinioni zhurmën dhe kritikat e akuzat ndaj njëri-tjetrit … Dikush mbrohet, dikush sulmon. Dhe, krejt deba(t)kli zhvillohet duke treguar kush e ka më të fortë aparatin e të folurit (lexo: volumin e zërit) që të sulmojë më shumë dhe mos i lë të tjerët të flasin.

Njëri ngutet t’ia thotë i pari tjetrit: “Por rrenë, je i paedukatë, je hajn …”.  Dhe, sapo përfundojnë shfaqjet e tilla, i rikthehemi Facebook-ut dhe e shpallim triumfalist zhurmaxhiun më të fortë!

Dhe, gara vazhdon …

Votuesi duhet të bindet se cili nga kandidatët është rrenci më i vogël, hajni më i vogël dhe me disa gramë edukatë ma shumë se tjetri.

Cili na kënaqi më shumë me projekte futuristik? Në qytetin pa lumë do ta bëjnë lumin midis qytetit, do ta bëjnë liqenin, metronë, gjelbërimin mbi pallatet e larta … Ata premtojnë atë që shumica ka dëshirë ta dëgjojë.

Prandaj, do të jetë numri i madh i atyre që do të dalin më 17 tetor e të hedhin votën për të përzgjedhurin e tyre. Do të votojnë edhe për kandidatin që i ka bërë të qajnë votuesit, jo me programin dhe vizionin e tij për ta udhëhequr komunën, por me zhurmën dhe budallallëkun e shfaqur.

S’ka se si të mos kujtohet një thënie e politikanit dhe burrështetasin francez Charles de Gaulle: “Duke qenë se politikani nuk i beson ato që thotë, mbetet i shastisur kur ndokush i beson”.

Mos u habitni nëse pas 17 tetorit do të kemi kandidat që do të shastiset kur ta kuptojë se mileti ia ka besuar atij ta udhëheq komunën.

Nejse.

Në krejt këtë atmosferë zgjedhore, pretenduesit sulmojnë kryetarët e deritashëm për keqqeverisje, për abuzim me paranë publike dhe hajni … kurse në mendje e kanë se si të vijnë vet në krye të komunës dhe të përfitojnë (vjedhin) pak edhe ata.

E, kur jemi të hajnia, këtë javë mediat publikuan një lajm për plaçkitjen e radhës të parasë publike. Në televizionin tonë publik, që mbijeton nga taksat tona, dikush nga punëtorët aty qenka përkujdesur të realizojë një program plaçkitës. Erifi në vend se të paguajë faturat në llogari të kompanisë “Pastrimi” themeloi kompaninë e tij fiktive “Pastimi” dhe duke e hangër një “R”, për disa vjet rresht e pastroi arkën e RTK-së për gati gjysmë milioni euro.

Çuditërisht, askush nuk e zbuloi këtë hajni.

Drejtuesit e RTK-së çdo vit dalin e qajnë se janë në krizë buxhetore, se nuk po ju mjaftojnë paratë, që u ndahen nga buxheti i shtetit. S’ju mjaftojnë tybe. Duket se shumë past(r)ues ka aty.

S’është kjo plaçkitja e parë as e fundit. Ende është i freskët rasti i zyrtarit nga Thesari i Shtetit, i cili barti në llogaritë e miqve të tij 2.1 milionë euro nga arka e shtetit.

Të qajmë apo të qeshim?

Këta jemi ne, ky është realiteti ynë në Kosovën tonë të pasluftës. Qysh bre të pasluftës, 22 vjet pasi ajo ka përfunduar?!

Për dikë të gjitha janë “normale”, sipas logjikës se në një vend të “sapo dalë nga lufta”. Ndaj, gjithçka “arsyetohet”!

Athua “Kosova e pasluftës” do të jetë edhe në vitin 2222?