Nuk kanë fund polemikat në futbollin gjerman sa i përket gjyqtarëve.
Drejtuesit e ndeshjeve janë bërë ndër më të akuzuarit në vend së bashku me VAR-in nga klubet.
Por në Kupën e Gjermanisë, VAR nuk përdoret para fazës së çerekfinaleve dhe kjo ka sjellë pakënaqësi në ndeshjen kryesore mes Leipzig dhe Bayern Munich.
Kampionët aktual të Gjermanisë u kualifikuan në raundin tjetër falë ekzekutimit të penalltive, por ky nuk ishte lajmi në mediat gjermane.
Ajo që bëri bujë ishte sjellja e drejtorit sportiv të klubit bardh e kuq, Ralf Rangnick pas përfundimit të pjesës së parë.
E gjitha ndodhi kur gjyqtari kryesor akordoi një penallti për Leipzigin në pjesën e parë dhe më pas anësori e anuloi një gjë të tillë duke i treguar kryesorit se ka gabuar.
Ka mjaftuar kjo që Rangnick të shpërthejë dhe në momentin e përfundimit të pjesës së parë të zbresë nga tribunat në fushë për t’i treguar gjyqtarit anësorë se kishte marrë vendim të gabuar për ta anuluar penalltinë pasi sipas tij ajo egzistonte.
Rangnick kishte videon në telefonin e tij dhe i tregoi gjyqtarit se gaboi, ndërsa pas gjestit të drejtorit sportiv të vendasve ka shpërthyer edhe sherri në fushë.
Mbrojtësi i Bayernit, Mats Hummels iu është afruar dhe ka debatuar ashpër me Rangnickun, por u desh ndërhyrja e lojtarëve tjerë për të qetësuar gjakrat.
Gjithsesi sipas medieve gjermane, Rangnick nuk është ndalë pasi i ka ndjekur gjyqtarët deri në dhomat e zhveshjes duke i thënë se kanë bërë një gabim të madh.
Mbetet të shihet nëse federata gjermane e futbollit do ta dënojë drejtorin sportiv të vendasve pas këtij gjesti të bërë.
Bayerni u kualifikua në raundin tjetër të Kupës së Gjermanisë, pas ekzekutimit të penalltive ku triumfoi 4-5, pasi ndeshja e rregullt përfundoi me barazim 1-1. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=F3Tikwr7JCc