Peter Vanhoutte, ish ndërmjetësi ndërkombëtar në krizën politike, duke e komentuar krizën aktuale me dorëheqjen e ministrave të BDI, mbrëmë në një postim në Facebook tha që „me mosrespektimin e parimeve themelore demokratike, është e qartë se me zgjedhjet nuk do të përmirësohet demokracia, por ky do të jetë funerali i mbetjeve të asaj që dikur ishte një shtet demokratik“, njofton Telegrafi Maqedoni.
„Një moment i ri për demokracinë jofunksionale,
Imagjinoni, një Qeveri, ku njëri nga partnerët e koalicionit dha dorëheqje. Kryeministri hesht. Kryetar i partisë më të madhe pohon që: „Ata mund ti plotësojnë vendet e zbrazura kur të dëshirojnë.”
Sipas Marrëveshjes së Përzhinos, LSDM do të merr disa ministra dhe zëvendës ministra në Qeveri, jo për pjesëmarrje të plotë si parti e koalicionit, por vetëm për kontroll të sferave kyçe të Qeverisë lidhur me zgjedhjet.
Përfundim: Qeveria pa BDI është qeveri pa shumicë.
Çfarë do të ndodh në një sistem normal demokratik?
Kryeministri jep deklaratë për opinionin, duke pranuar se ekziston krizë politike.
Kryeministri menjëherë drejtohet në Kuvend dhe ofron dorëheqje të Qeverisë, ose
Kryeministri kërkon votëbesim që të shihet nëse ka shumicë në Kuvend e cila akoma e përkrah qeverinë.
Fakti që kryeministri nuk reagon aspak, tregon që diçka nuk është në rregull për një shtet demokratik, sepse kriza është përgjegjësia e tij themelore. Që kryetari i partisë de-fakto e merr rolin e tij, brengos shumë dhe dëshmon se me shtetin udhëheq partia e jo Qeveria. Parimi për ndarje të partisë nga shteti nuk respektohet.
Në një fjalim të paradokohshëm, kryetari i Republikës së Maqedonisë u vendos në mbrojtje të termit „interes shtetëror“. Po, është në interes të shtetit – kthimi i demokracisë. Po, është në interes të shtetit që të gjithë qytetarët ta mbrojnë demokracinë dhe të pritet që të respektohen parimet themelore të demokracisë nga ana e partive politike në pushtet.
Me mosrespektimin e këtillë të parimeve themelore të demokracisë, është e qartë që me zgjedhjet nuk do të përmirësohet demokracia, por ky do të jetë funerali i mbetjeve të asaj që dikur ishte një shtet demokratik“, shkrua Vanhoutte.