Site icon Telegrafi

Vanhoutte kthehet në Shkup: Reformat në media nuk duhet të harrohen

Me ftesë të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), këtë javë në Shkup po qëndron eksperti evropian Peter Vanhoutte, i cili në kuadër të bisedimeve me partitë për zgjidhje e krizës politike ka përgatitur propozim për reforma në media, njofton Telegrafi Maqedoni.

Nga SHGM thonë se, kanë ftuar Vanhoutten me qëllim që t’i falënderohen për kontributin e tij në përgatitjen për propozimin në reformat mediatike dhe të shfrytëzohet përvoja e tij për lobim tek qeveria e re për zbatimin e propozimeve.

Sot përfaqësues të SHGM-së dhe Vanhoutte patën takim me ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski dhe përfaqësues të ambasadës amerikane.

Ndërsa, nesër pasdite është paraparë takim me kryeministrin Zoran Zaev, ku do të diskutohet për nevojën për reforma në media. Pas takimit me Zaev, Vanhoutte dhe përfaqësues të SHGM-së do të mbajnë konferencë për shtyp.

Kur ishte në Maqedoni, Vanhoutte insistonte për reforma thelbësore në media ku mes tjerash përfshihej departizimi i servisit publik (RTVM), ndalimi i reklamave të qeverisë për televizionet dhe kontroll të një komisioni për përmbajtjen e programeve të televizioneve në vend. Gjithashtu Vanhoutte, në të kaluarën kërkonte edhe përshirjen e portaleve në ligjin e mediave. Kontrolli dhe vërtetësia e lajmeve do të ishte prioritet sipas Vanhoutte./Telegrafi/

 

Exit mobile version