Site icon Telegrafi

Vangjel Tavo zyrtarisht kryebashkiak i Himarës, KQZ i jep mandatin

Vangjel Tavo është zyrtarisht kryetari i Bashkisë Himarë pasi KQZ i dha sot mandatin e fituar ne zgjedhjet e mbajtura më 4 gusht.

“Sot Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancë publike vendosi dhënien e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Qarku Vlorë z. Vangjel Tavo, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë të datës 4 gusht 2024”, bën me dije KQZ.

Disa ditë më parë Kolegji Zgjedhor rrëzoi padinë e palës paditëse Koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Partia “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut” për zgjedhjet në bashkinë Himarë.

Ky vendim i hapi rrugën që KQZ t’i japë mandatin e fituar me 4 gusht Vangjel Tavos.

Pas vendimit të KQZ, Tavo bën betimin para këshillit bashkiak.

Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet në Bashkinë e Himarës me 1477 vota diferencë përballë rivalit të tij nga koalicioni opozitar, Petro Gjikuria.

Exit mobile version