Site icon Telegrafi

Vangjel Tavo fiton zgjedhjet në Himarë, e fton Petro Gjikuria që të bëhet nënkryetar i bashkisë

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo është shpallur fitues i bashkisë me 1447 vota më shumë se rivali i tij, Petro Gjikuria. 

Tavo ka falënderuar qytetarët që e kanë votuar atë, duke shkruar se tashmë ka fituar Himara, transmeton Telegrafi.

Ai gjithashtu ka ftuar Petro Gjikuria që të bëhet nënkryetar i bashkisë.

“Unë do drejtoj duke shërbyer, do punoj duke vënë interesat tuaja mbi çdo gjë, e do jem kryebashkiaku i përkushtuar ndaj gjithësecilit prej jush, si votuesve të mi ashtu edhe asaj pjese që nuk më votoi, sepse Himara është e pandarë, sepse zhvillimi që na pret përpara për Himarën nuk është i fragmentuar por një dhe i tërë. Sepse ngjyrat politike janë individuale ndërsa e ardhmja është e përbashkët dhe komunitare. Dhe, vetëm kështu, të pandashëm nga bindjet dhe ndasitë, në bashkëjetesë e harmoni të plotë, ne do e çojmë përpara Himarën, në paqe dhe begati”, ka pohuar ai.

Postimi i plotë:

“Të nderuar banorë të Himarës, njësive administrative Lukovë dhe Horë-Vranisht, e të të gjithë fshatrave pa asnjë dallim,

Ju jam thellësisht mirënjohës që më dhatë besimin tuaj për të drejtuar Bashkinë Himarë. Ky besim do përkthehet në punë dhe në përmbushje të gjithë pikave të programit tim, për të cilat edhe ju më votuat.

Unë do drejtoj duke shërbyer, do punoj duke vënë interesat tuaja mbi çdo gjë, e do jem kryebashkiaku i përkushtuar ndaj gjithësecilit prej jush, si votuesve të mi ashtu edhe asaj pjese që nuk më votoi, sepse Himara është e pandarë, sepse zhvillimi që na pret përpara për Himarën nuk është i fragmentuar por një dhe i tërë. Sepse ngjyrat politike janë individuale ndërsa e ardhmja është e përbashkët dhe komunitare. Dhe, vetëm kështu, të pandashëm nga bindjet dhe ndasitë, në bashkëjetesë e harmoni të plotë, ne do e çojmë përpara Himarën, në paqe dhe begati.

Himara është e himarjotëve dhe himarjotët meritojnë të jetojnë ashtu siç duan: në liri, harmoni e bashkëjetesë me të gjitha realitetet në Himarë, duke ecur përpara krah për krah në të mirën e komunitetit dhe mirëqenien e çdo familje.

Së bashku ne do kemi një Himarë demokratike, bashkëkohore, evropiane, multikulturore, të zhvilluar e të begatë, me rritje të një ekonomie që ndikon drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të thjeshta. Një Himarë që do tërheqë investime në turizëm, shërbime, infrastrukturë, kulturë, e të tjera. Një Himarë gjithëpërfshirëse që i takon vetëm banorëve, një popull me histori unike e të lavdishme, krenare për të parët dhe vlerat e rralla që ka.

Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për Kryeministrin Edi Rama i cili më propozoi dhe besoi te unë me vullnetin dhe dashamirësinë e tij të plotë për t’i dhënë Himarës normalitet dhe mbështetje edhe më të madhe për të ecur përpara e për t’u zhvilluar, ashtu siç e meriton. Për ta bërë Himarën kryefjalën e bashkëpunimit dhe harmonisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, duke lënë pas në të shkuarën kapitullin e mbyllur të para 4 gushtit, e që nga sot, duke parë përpara drejt një të ardhme më përbashkuese dhe evropiane.

Falënderoj strukturat e PS, çdo anëtar të ekipit tim të afërt por edhe mbështetës në distancë, çdo komisioner e vëzhgues, dhe cilindo që kontribuoi që i gjithë procesi zgjedhor të ishte i rregullt dhe demokratik.

Ju falënderoj nga zemra e ju jam tejet mirënjohës.

Në përfundim, dua të përsëris atë që e kam thënë vazhdimisht përpara datës së votimit, se, fjala ime është një kontratë publike për mbajtjen e premtimeve. Kësisoj, jo më si kandidat, por tashmë zyrtarisht si Kryetar i Bashkisë Himarë, unë e ftoj z. Petro Gjikuria të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë. Jam i vetëdijshëm që kjo është e paprecedentë në historinë zgjedhore të tre dekadave të fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, e nis unë i pari me shembullin konkret të bashkëpunimit dhe bashkimit që meriton kjo bashki.

Nëse z. Gjikuria ka vendosur të qëndrojë e jetojë në Himarë unë e mirëpres të pranojë e t’i bashkohet programit tonë për Himarën dhe himarjotët. E ka ftesën e hapur për të kontribuar me ide dhe energji për të ecur përpara. Sepse Himara është e të gjithëve.

Në mbyllje ju shpreh edhe një herë mirënjohjen time e ndihem thellësisht i privilegjuar e i nderuar që do ju shërbej si Kryetar i Bashkisë së Himarës. Ju faleminderit”./Telegrafi/

Exit mobile version