Në një seri postimesh në Instagram, Vanessa Bryant, ka zbuluar emrat e katër oficerëve të Departamentit të Sherifit të Qarkut në Los Angeles, të cilët dyshohen se morën ose ndanë fotografi të tmerrshme të skenës së rrëzimit të helikopterit që vrau burrin e saj, legjendën e NBA-së, Kobe Bryant, vajzën Gianna si dhe shtatë të tjerë.
Postimet ishin të një ankese të ndryshuar – të paraqitur të mërkurën në Gjykatën e Qarkut të SHBA-së dhe të marra nga CNN – që kanë të bëjnë me oficerët: Joey Cruz, Rafael Mejia, Michael Russell dhe Raul Versales.
Procesi gjyqësor kërkon dëmshpërblim, duke pretenduar neglizhencë dhe cenim të privatësisë.
Ankesa po ashtu pretendon se Cruz ‘mburrej që kishte punuar në vendin e aksidentit ku Kobe vdiq’ dhe shpalosi fotot më 28 janar të vitit 2020, dy ditë pas ngjarjes tragjike.
Vanessa fitoi çështjen në fillim të këtij muaji për të zbuluar emrat e oficerëve të dyshuar në këtë.
Në shkurt, ajo kishte bërë thirrje që Departamenti i Sherifit të publikojë emrat e oficerëve, duke thënë se duhet të mbajnë përgjegjësi lidhur me rastin.
“Zonja Bryant pret të paraqesë çështjen e saj në gjykatë”, tha avokati i Vanessa Bryant, Luis Li në një deklaratë për CNN.
Departamenti i Sherifit të Qarkut në Los Angeles nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës.
“Ne e respektojmë vendimin e gjykatësit”, tha në një deklaratë Sherifi Ron Hernandez. “Shqetësimi ynë kryesor është privatësia e të gjitha palëve të përfshira”.
Kobe ndërroi jetë saktësisht më 26 janar të vitit 2020 në një aksident me helikopter së bashku me vajzën e tij, Gianna dhe shtatë persona të tjerë. /Telegrafi/