Telegrafi

Van Perise tregon përse në të vërtetë u largua nga Arsenali për të kaluar te Unitedi: U largova për të fituar trofe

Robin van Perise ishte lojtari më i dashur te Arsenali, por që kjo dashuri u shndërrua në urrejtje pas kalimit te Manchester Unitedi në vitin 2012.

Ish-sulmuesi holandez në kohën sa ishte në ‘Emirates Stadium’ shënoi 132 gola në 280 paraqitje për Gunner, mirëpo më pas kaloi te Djajtë e Kuq.

Në një intervistë për BT Sports, Van Persie ka treguar arsyen e vërtetë se përse u transferua te rivali i Topçinjve.

“Nga Arsenali u largova për të fituar trofe, pasi ky ishte qëllimi im. Jam ky që jam dhe kam bërë atë çfarë kam bërë”, ka thënë legjenda holandeze.

“Jam krenar për kohën time të Arsenalit dhe jam krenar për kohën time në Mançester dhe jam shumë i lumtur që ne fituam ligën atë vit sepse ky ishte objektivi im që kur u transferova në Ligën Premier”, ka shtuar më tej Van Persie.

Në sezonin e tij të parë në Old Trafford, holandezi do të ndihmonte Unitedin të fitonte titullin e 20-të të Ligës Premier me 26 golat e tij dhe duke fituar Këpucën e Artë. /Telegrafi/