Telegrafi

Van Nistelrooy kritikon Gakpon për kalimin te Liverpooli: Donte me zemër të luante për Manchester Unitedin, ishte Van Dijk që e bindi

Ruud van Nistelrooy, ish-sulmuesi i PSV, Manchester United dhe Real Madrid ka folur së fundmi për vendimin e Cody Gakpo, i cili zgjodhi Liverpoolin edhe pse kishte muaj që bisedonte me drejtuesit e ‘Djajve të Kuq’.

Ai ka thënë se kriza që po kalon Liverpooli ka ndikuar te forma e lojtarit, ndërsa sipas holandezit ëndrra e Gakpos ishte të luajë te Manchester United.

“Me aq sa di unë, Gakpo gjithmonë ka ëndërruar të luajë te Manchester United dhe ai ishte në bisedime me Erik ten Hag që nga muaji gusht”.

“Unë gjithashtu doja që ai të luante për United, por klubi nuk bëri ofertë në janar. Kur dëgjova për Liverpoolin, unë diskutova me të dhe i thashë të presë deri në verë. Gakpo në ditët e fundit bisedoi me Van Dijk dhe ai e bindi”.

“Manchester United është një klub që gjithmonë ka besuar te lojtarët e rinj dhe aty Gakpo do të gjente hapësirat e duhur për t’u rritur, sidomos kur në skuadër sot janë mesfushorë si Fernandes apo Casemiro, por tani gjërat janë ndryshe. Liverpool nuk po kalon një sezon të mirë dhe kjo lë pasoja, sepse e di shumë mirë dhe të gjithë do të preken”, ka thënë Nistelrooy.

Cody Gakpo deri më tani ka luajtur gjashtë ndeshje me Liverpool edhe ende nuk ka gjetur rrugën e rrjetës,ndërsa te PSV ai luajti 159 ndeshje dhe realizoi 55 gola. /Telegrafi/