Telegrafi

Valon Zumberi fillon fazën përgatitore me ekipin e parë të Hamburgut, pritet të ketë hapësira të mëdha këtë edicion

Valon Zumberi është njëri nga futbollistët më të talentuar që ka Kosova dhe me një të ardhme të ndritur.

Qendërmbrojtësi nga Lugina e Preshevës prej vitesh merret me futboll dhe është pjesë e gjigantit gjerman HSV Hamburger.

Reprezentuesi i Kosovës U21, ka kaluar të gjitha grup moshat te Hamburgu, derisa tani është pjesë e ekipit të parë.

19-vjeçari ka nisur fazën përgatitore me ekipin e parë të Hamburgut pasi tanimë është pjesë e rregullt e kësaj skuadre dhe këtë edicion pritet të ketë hapësira të mëdha në Bundesliga 2.

Zumberi vlerësohet shumë në Gjermani pasi shpesh herë mediat gjermane kanë raportuar se ai është një qendërmbrojtës cilësorë i cili do të ketë një karrierë të madhe nëse vazhdon me ritmin momental.

Qendërmbrojtësi do të udhëtojë me ekipin gjerman në Austri për fazën përgatitore ku pritet të luaj në ndeshjet miqësore që Hamburgu ka në plan.

Shtatlarti ka qenë më i miri padyshim edhe në Përfaqësuesen U21 të Kosovës dhe në rast se zë një vend titullari te Hamburgu, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të ftohet nga Kosova A qysh në ndeshjet e shtatorit, pasi bëhet fjalë për një futbollist shumë të talentuar.

Trajneri i Hamburgut, Tim Walter ditë më parë e vlerësoi shumë Zumberin dhe të rinjtë e tjerë të akademisë, duke thënë se do t’iu jep shumë hapësira edicionin e ri. /Telegrafi/