Telegrafi

Valon Murati përkujton Bahri Fazliun në 22-vjetorin e rënies së tij

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka përkujtuar dëshmorin Bahri Fazliun, në 22-vjetorin e rënies së tij.

Murati ka thënë se Bahri Fazliu nuk i kishte ndaluar asnjëherë përpjekjet për liri, dhe se shpresa për forcën e popullit nuk iu zbeh asnjëherë, transmeton Telegrafi.

“I pa kompromis ndaj pushtuesit, debatues i zjarrtë e i thellë në funksion të së mirës, demaskues me penë e pushkë i politikës pacifiste që kishte ngulfatur përpjekjet për liri gjatë viteve 90’, i dashuruar në njeriun dhe anën e tij të mirë”, ka shkruar Murati në Facebook.

Për më shumë postimi i plotë i tij:

“Sa i mungon vendit e kombit edhe sot shok!

Sot u bën 22 vjet prej që në betejë me pushtuesin shkoi në amshim Bahri Fazliu-Gzimi, njëri prej ideologëve të politikës së luftës çlirimtare në Kosovë, aktivisti, luftëtari i lirisë, poeti, artisti, e mbi të gjitha njeriu i madh. Përpjekjet për liri asnjëherë nuk i ndali, shpresa për forcën e popullit asnjëherë nuk iu zbeh, besimin në fitore e kishte të palëkundur.

I pa kompromis ndaj pushtuesit, debatues i zjarrtë e i thellë në funksion të së mirës, demaskues me penë e pushkë i politikës pacifiste që kishte ngulfatur përpjekjet për liri gjatë viteve 90’, i dashuruar në njeriun dhe anën e tij të mirë. Që në rini aktivist në LPRK, më pas me krijimin e LKÇK-së në vitin 1993 do të jetë ndër udhëheqësit e saj e edhe të organit Çlirimi.

Rreth pesë vjet ilegal në Prishtinë e kudo në Kosovë, çdo herë në funksion të drejtësisë, barazisë, çlirimit, lirisë e bashkimit kombëtar. Disa ditë të ndan nga marrëveshja historike e 11 majit 1998 në mes të LKÇK-së dhe UÇK-së. Na le keq shok kur re në tre kufirin shqiptar, e le keq organizimin e luftën çlirimtare, por edhe na frymëzove e u bëre yll shndritës për luftëtarët e lirisë. Sa i nevojshëm do ishe edhe sot.

Vendi e kombi kanë nevojë gjithmonë për ty e për shokët e kalibrit tënd. Pusho i qetë në rininë tënde të përjetshme shok i dashur”./Telegrafi/