Site icon Telegrafi

Valon Berisha nuk pranoi të luante në Ligën e Evropës, Lazio e nxjerr në shitje në janar

Valon Berisha. (Photo by Marco Rosi/Getty Images)

Valon Berisha nuk po gjen qetësi te Lazio dhe mund të largohet qysh në afatin kalimtar të janarit.

Mesfushori nga Kosova ka pasur shumë pak hapësira këtë edicion me klubin italian dhe nuk pëlqehet nga trajneri Simone Inzaghi.

26-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar vetëm dy ndeshje në Serie A ku në total ka 21 minuta, ndërsa ka luajtur në tri të tjera në Ligën e Evropës në total 128 minuta.

Inzaghi kishte dashur ta përfshinte në formacionin startues të enjten ndaj Cluj që Lazio e fitoi me rezultat minimal 1-0.

Valon Berisha. (Photo by Marco Rosi/Getty Images)

Edhe pse kosovari ishte projektuar të jetë në formacionin titullar, ai në fund nuk ka pranuar të luaj duke u ankuar në një lëndim.

Mediat italiane kanë raportuar se lojtari nuk ka fare lëndim dhe se nuk ka dashur të rrezikojë në një ndeshje të parëndësishme pasi Lazio thuajse është eliminuar nga grupet.

Kjo gjë nuk i ka pëlqyer trajnerit Inzaghi i cili pastaj vendosi të mos ta grumbullojë fare Berishën.

Gjithnjë sipas medieve italiane, klubi kryeqytetas e ka nxjerrë në shitje mesfushorin nga Kosova dhe pritet ta largojë atë gjatë afatit kalimtar të janarit. /Telegrafi/

Exit mobile version