Site icon Telegrafi

Valon Ahmedi nënshkruan me Shkëndijën

Shkëndija e Tetovës ka bërë goditjen e madhe në këtë afat kalimtar.

Tashmë skuadra ‘kuqezi’ ka prezantuar mesfushorin e Kombëtares së Shqipërisë, Valon Ahmedin.

Ahmedi, pas një eksperiencë në Izrael me Irony Kiryat Shmona, zgjodhi të luante në Kroaci me Inter Zapresic.

Vetëm dy muaj në atë klub dhe “divorci” u njoftua që në muajin dhjetor. Së fundmi ai ka pasur disa oferta, por ajo e Shkëndijës ka qenë më bindësja ku lojtari ka nënshkruar për 3,5 vite.

Kështu për trajnerin Ernest Gjoka do të jetë në dispozicion një lojtar me mjaft vlera, që mund të luajë në krahë të sulmit dhe si sulmues i dytë.

Ahmedi hapat e parë në karrierë i ka hedhur në Itali, ku ka qenë pjesë e Sudtirol dhe më pas kaloi në Slloveni te Celje.

“Ndjehem shumë i lumtur. Në rradhë të parë dua të falemenderoj të gjithë anëtarët e KF Shkëndija për pritjen e ngrohtë që më kanë bërë, për profesionalizmin e treguar, për besimin dhe për vlerësimin që më kanë bërë si futbollist. Përveç faktit se është një kënaqësi e madhe, mund të them se është një privilegj shumë i madh për mua si futbollist, sepse të gjithë e dijnë se Shkëndija ka qenë, është dhe do të mbetet historia e gjithë shqiparëve këtu në vendin tonë”, tha Valon Ahmedi pas zyrtarizimit të bashkëpunimit me Shkëndijën, duke vijuar:

“Jam shumë i lumtur për marrëveshjen me Shkëndijën, sepse rikthehem në vendlindje, në veçanti pranë të familjes time që paraqet një energji dhe diçka që nuk përshkruhet me fjalë, për faktin se deri tani kam luajtur çdo herë jashtë. Mua më mbetet që vetëm me punë, angazhim, me djersë dhe me përkushtim maksimal t’a kthej besimin e Shkëndijës në fushë për gjithçka që kanë bërë deri tani. Të them të drejtën mezi pres të nis punën me grupin”.

25-vjeçari ka të zhvilluara dy ndeshje me Kombëtaren A të Shqipërisë, pasi paraprakisht është paraqitur me gjeneratat U21 dhe U19 të kuqezinjëve.

/Telegrafi/

Exit mobile version