Telegrafi

Valladolidi fiton ndaj Barcës dhe shpreson në mbijetesë

(Foto: Getty Images)

Real Valladolidi ka marrë pikë të plota përballë Barcelonës (3-1) në Estadio Jose Zorrilla ku u zhvillua ndeshja e xhiros së 36-të në La Liga.

Rezultati u zhbllokua që në minutën e dytë me një autogol të Andreas Christensen, i cili në përpjekje që ta pastronte një harkim, e futi topin në rrjetën e gabuar.

Epërsia e vendasve u dyfishua në minutën e 22-të me golin e Cyle Larin të realizuar nga pika e bardhë.

(Foto: Quality Sport Images/Getty Images)

Një tjetër gol nikoqirët e shënuan edhe në fraksionin e dytë (75’). Golashënues ishte edhe Gonzalo Plata.

Golin e nderit për skuadrën mysafire e realizoi Robert Lewandowski, i cili u asistua nga Frenkie de Jong (84’).

Falë kësaj fitoreje, Real Valladolidi është ngritur në kuotën e 38 pikëve dhe është pozicionuar në vend të 17 në tabelë duke u larguar nga zona e rrezikut, porse skuadrat rivale kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Barcelona është shpallur kampion i La Ligas për sezonin 2022/2023 dhe nuk ishte ndonjë objektiv real në këtë takim. /Telegrafi/