Telegrafi

Valdrin Sahiti hap dyqan në qendër të Brukselit, futet mes markave “Gucci”, “Prada” e “Rolex”

Kreatori më i famshëm shqiptar, Valdrin Sahiti po e ndërkombëtarizon markën e tij, duke depërtuar edhe në qendrat tjera të Evropës, pas dominimit të Prishtinës, Tiranës e Shkupit.

Nëpërmjet një video të shkurtër të cilën e ka ndarë në Instagram, Sahiti tregon se markat e tij të veshjeve tani do të jenë në dispozicion në dyqanin e tij që do të jetë në qendër të Brukselit.

Mirëpo me një hulumtim të vogël online është kuptuar se Valdrin Sahiti do të jetë prezent në rrugën më të shtrejtë të Brukselit me dyqanin e tij, i radhitur mes brendeve të mëdha botërore sikurse Gucci, Prada e Rolex.

Po ashtu është thënë se dyqani i ri i VS në Bruksel do të hapet në muajin e ardhshëm, ndërsa pritjet janë që projektet e zgjerimit të biznesit të VS të jenë edhe më të mëdha, dhe se krijimet e Valdrinit do të mund të blihen shumë shpejtë edhe në qendrat tjera të Evropës.

Dhe natyrisht se ne të gjithë i gëzohemi suksesit tjetër të Valdrinit, prandaj edhe e urojmë për arritjen. /Telegrafi/