Ish aktivistja e shoqërisë civile nga Mitrovica, Valdete Idrizi, që tani është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, ka shprehur shqetësimin e saj për emërimin që kryeministri Ramush Haradinaj ia ka bërë Adriana Hoxhiqit, si Ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Në një status në Facebook, Idrizi ka thënë se me emërimin e saj rrezikohet të vuloset skenari i ndarjes së Kosovës.
Madje, Idrizi ka thënë se shqiptarët në Mitrovicë e dinë për pozicionin që tani ministrja Hoxhiq ka mbajtur karshi shqiptarëve.
“Është inkurajuese kur një grua merr rol si Ministre në Qeverinë e Kosovës, por emërimi i Adriana Hoxhiq si ministre e Administrimit dhe Pushtetit Lokal pikërisht tani është një lajm shqetësues. Në kohën kur flitet për ndarjen e Mitrovicës dhe të Kosovës, me këtë vendim të Kryeministrit Ramush Haradinaj fuqizohen edhe më tutje lidhjet me Beogradin dhe rrezikohet të vuloset skenari i ndarjes. Ne në Mitrovicë, të gjithë e dimë pozicionin që Hoxhiq ka mbajtur ndaj shqiptarëve të kësaj ane dhe angazhimin e saj kundër tyre”, ka shkruar ajo. /Telegrafi/