Në klubin gjerman, Munchen 1860, aktivizohet ish-sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Valdet Rama. 28-vjeçari i lindur në Mitrovicë është aktivizuar në 15 takime, por nuk ka mundur të shënojë asnjë gol, duke zhvilluar një sezon zhgënjyes.
Pavarësisht nivelit të lartë teknik që zotëron, trajneri Bierofka ka preferuar ta aktivizojë shumë pak shqiptarin, i cili nuk po gjen hapësira në këtë skuadër.
I transferuar në vitin 2014 nga Real Valadollid, Rama u cilësua fillimisht si një nga goditjet më të mëdha të klubit bavarez, por tashmë pas dy sezoneve në Munih, ai po bën gati valixhet për t’u larguar.
Në një shkrim të gjatë, faqja e specializuar gjermane tz.de përforcon këtë ide, duke theksuar se shqiptari është shumë pranë largimit.
Drejtori sportiv, Oliver Kreuzer, ka bërë të ditur se do të ketë ndryshime të mëdha për sezonin e ri dhe në listën e emrave që pritet t’i japin lamtumirën skuadrës është edhe Rama.
“Do të jetë shumë e vështirë ta mbajmë Ramën edhe për një sezon tjetër”, ka deklaruar ai.