Telegrafi

Valbona Selimllari rrëfen historinë e hidhur se si një mashkull kishte tentuar ta përdhunonte kur ishte e re

Ish-Missi Valbona Selimllari, ka qenë një ndër të ftuarat e mbrëmjes në emisionin e radhës në “Xing me Ermalin”.

Ajo ka rrëfyer shumëçka nga jeta dhe karriera e saj, ndërsa nuk ka nguruar të flasë edhe për një prej përvojave më të hidhura që ka përjetuar.

Bëhet fjalë për një rast, kur një mashkull e kishte sulmuar fizikisht kur ishte e re, në tentim për ta përdhunuar.

“Në fakt unë kam jetuar në kohën kur kishte shumë trazira në Tiranë, nga 1994-97 dhe 1997 ka qenë kulmi. Ka pasur situata të tmerrshme, shpesh djemtë ngacmonin vajzat, kanë ndodhur përdhunime, vjedhje dhe raste të dhimbshme. Më ka ndodhur edhe mua dhe do tregoj një rast. Po kthehesha nga teatri dhe në rrugë më dolën dy djem. Njëri prej tyre më pyet: Si e ke emrin? Dhe unë iu ktheva: Ç’të duhet ty. Ishte errësirë dhe nuk më njohu. Më qëlloi me grusht në fytyrë dhe në një moment mu errën sytë. Për fatin tim të mirë unë kam qenë gjimnaste dhe krahët i kam të fuqishëm. Në një moment u përmenda, e lash të më çonte tek cepi i pallatit sepse ai nuk donte ta bënte në rrugë atë gjë që kishte ndër mend të bënte”, tha fillimisht Selimllari.

Tutje, ajo ka vazhduar të tregojë në detaje se si kishte rrjedhur ngjarja, nga e cila kishte arritur të shpëtonte mirë.

“Mbaj mend që i thash: “Më vjen keq, por të ka qëlluar me njeriun e gabuar”. Dhe se çfarë kam bërë, e në ç’formë e kam rrahur nuk e di, por e kisha vënë poshtë këmbëve të mia. I kisha vënë gjunjët tek kurrizi dhe e mbaja që të mos ikte. Në një moment dëgjova që po vinin njerëz, shkëpus vëmendjen dhe ai gjeti rast që u lirua dhe iku. Më mbeti xhupi dhe çelësat e tij në dorë. E kam pritur fshehur tek shkalla deri në 3 të mëngjesit me idenë që do kthehej të merrte çelësat, por për fatin e tij të mirë nuk u kthye. Ndryshe do kishte “ngrënë” një dru të mirë dhe do kishte përfunduar në burg. Ajo që më shqetëson në këtë rast është se nëse do ishte një vajzë që nuk do të kishte fuqinë time. Unë në përgjithësi jam vajzë e guximshme, sportiste dhe kisha guxim të madh”, ka deklaruar Valbona. /Telegrafi/