Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi është infektuar me COVID-19.
Krasniqi ka bërë të ditur se ditëve në vijim do të jetë në vetizolim, transmeton Telegrafi.
“Qytetarë të nderuar. Sot edhe unë rezultova pozitiv me COVID-19. Ditët në vijim do të jem në vetizolim duke respektuar të gjitha rekomandimet. Apeloj te të gjithë për kujdes maksimal. Ju lutem kujdes virusi ekziston”, ka shkruar ai në Facebook.
Për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19, Qeveria e Kosovës sot ka vendosur masa të reja kufizuese.
Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 728 raste të reja, derisa numri i viktimave ka arritur në 732./Telegrafi/