Një numër rekord i grave po konkurrojnë për zyra publike në Shtetet e Bashkuara, duke i bërë zgjedhjet e ardhshme shtetërore dhe kombëtare edhe më të rëndësishme sesa normalisht.
Më 6 nëntor do të mbahen zgjedhjet për 435 ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 të Senatit, ashtu si edhe zgjedhjet për guvernatorë në 33 shtete dhe për legjislatura në shumicën e shteteve.
Vetëm për Kongres, numri i grave kandidate i kalon dukshëm vitet e kaluara, thotë Qendra për Gratë dhe Politikat Amerikane në kuadër të Universitetit Rutgers, në Nju Xhërsi. Për Dhomën e Përfaqësuesve garojnë 239 gra, ndërsa për Senatin 23.
Këto shifra nuk i përfshijnë edhe gratë që kanë garuar në zgjedhjet paraprake këtë vit, në të cilat votuesit i zgjedhin kandidatët për të përfaqësuar një parti politike ose tjetër, zakonisht atë Demokrate ose Republikane.
Në të dyja këto parti të mëdha ka pasur rritje të numrit të grave kandidate, por në Partinë Demokrate rritja ka qenë më e madhe: më shumë gra garojnë tani si kandidate demokrate sesa të gjitha gratë që kanë kandiduar në zgjedhjet e vitit 2014, nga të dyja partitë, transmeton Evropa e Lirë.
“Është vit i thyerjes së rekordeve, nuk ka dyshim”, thotë Jean Sinzdak, nga Qendra për Gratë dhe Politikat Amerikane. “Sa u përket numrave, jemi shumë më lart se çdo vit më parë”, thotë ajo.
Në mesin e 46 shteteve që mbajnë zgjedhje për legjislaturat në nëntor, 3,381 kandidate janë gra, shumë më lart se rekordi i mëparshëm prej 2,649, i vendosur në vitin 2016. Ashtu si në rastin e Kongresit, shumica dërrmuese e kandidateve janë demokrate.
Entuziazmi midis grave reflektohet në mënyra të ndryshme në garat politike, thotë Sinzdak. Sipas saj, një numër i madh i tyre kanë ndjekur trajnime se si të kryejnë hulumtime politike ose për të mësuar më shumë rreth ligjeve dhe rregulloreve për fushatën.
Kjo është reflektuar edhe në mbledhjen e fondeve. Në fushatën për zgjedhjet në Dhomën e Përfaqësuesve, gratë donatore kanë favorizuar demokratët përballë republikanëve, veçanërisht kandidatet gra, tregojnë të dhënat e Open Secrets, një projekt i Qendrës për Politikë të Përgjegjshme.
Në anën e republikanëve, gratë mblodhën më shumë para se burrat gjatë zgjedhjeve paraprake, gjë që, sipas ekspertëve të financimit të fushatave, është një pasqyrim i entuziazmit të përgjithshëm midis grave në vitin 2018.
Përveç në mbledhjen e fondeve, rritja e numrit të grave që garojnë për zyra publike ka ndikuar edhe mënyrën se si udhëhiqen shumë fushata politike, thotë Sinzdak.
“Gratë kandidate po garojnë si vetja e tyre dhe nuk përpiqen të futen në një lloj kallëpi. Ato flasin për gjërat e tyre, të tilla si përvojat e tyre me sulmet seksuale. Flasin për amësinë dhe përse fakti i të qenët nëna i bën ato ligjvënëse të mira ose i ndihmon të marrin vendime të mira politike”, thotë Sinzdak.
Një sondazh i Qendrës Kërkimore Pew, i publikuar në muajin gusht, ka nxjerrë në pah se shumica e amerikanëve mendojnë se është një gjë e mirë që më shumë gra garojnë për zyra publike.
Ka shumë arsye për rritjen e numrit të grave kandidate në këtë cikël zgjedhor, përfshirë zgjedhjen e republikanit Donald Trump president.
Gjatë fushatës së vitit 2016, është shfaqur një video nga viti 2005, në të cilën Trump është dëgjuar të ketë thënë se “mund t’i kapë organet gjenitale të grave pa pëlqimin e tyre”. Trump i ka fituar zgjedhjet, duke mundur kandidaten demokrate, Hillary Clinton. Një ditë pas inaugurimit të tij, më 20 janar, 2017, miliona njerëz, shumica gra, kanë organizuar një protestë masive në Uashington dhe qytete të tjera të SHBA-së kundër Trumpit.
Sinzdak thotë se gratë janë nxitur edhe nga lëvizja #MeToo (Edhe unë), ku aktore të njohura dhe gra të tjera kanë treguar hapur se si janë ngacmuar ose sulmuar seksualisht nga burra me pozita të shquara.
Lëvizja ka rezultuar me turpërim publik, dorëheqje të detyruara apo shkarkime, e madje edhe akuza kriminale kundër politikanëve, manjatëve të mediave, producentëve të Hollivudit, celebritëve e të tjerëve.
Ngjarjet tjera që kanë nxitur gratë të bëjnë më shumë politikisht në vitin 2018, shton Sinzdak, përfshijnë edhe vendimin kundërthënës të administratës Trump për t’i ndarë prindërit që kalojnë ilegalisht kufirin e SHBA-së nga fëmijët e tyre.
Së voni, Senati amerikan ka mbajtur një seancë dëgjimore për të emëruarin e Trumpit për gjykatës të Gjykatës Supreme, Brett Kavanaugh. Me kontrollin e republikanëve në Senat, konfirmimi i Kavanaugh është parë si çështje e kryer derisa një grua, Christine Blasey Ford, e ka akuzuar publikisht atë për sulme seksuale, në vitin 1982.
Ngjarja çoi në një seancë të jashtëzakonshme dëgjimore, më 27 shtator, në të cilën Ford dëshmoi para Komitetit të Senatit për Drejtësi, dhe pas saj edhe Kavanaugh, i cili i mohoi fuqishëm akuzat. Miliona amerikanë e ndoqën seancën nga televizori.
E gjithë kjo ka krijuar një lëvizje kulturore politike që karakterizohet nga zemërimi i grave me mënyrën se si janë trajtuar nga burrat në pushtet”, thotë Sinzdak.
Rasti i Kavanaugh i ka bërë jehonë një rasti të ngjashëm në Senat që ka ndodhur 27 vjet më parë, kur emërimi i gjykatësit Vlarence Thomas për Gjykatën Supreme është përfshirë nga akuzat për ngacmim seksual, të ngritura nga Anita Hill. Ky rast po ashtu ka tërhequr vëmendje të madhe në SHBA.
Në vitin pasues, më 1992, ka pasur rritje të numrit të grave që kanë garuar për zyra publike dhe rritje të ndjeshme të numrit të grave në Senatin amerikan.
Ai vit është bërë i njohur gjerësisht si “Viti i Gruas”. /Rel/