Organizimet publike në ambientet e jashtme janë ndaluar në një zonë të Francës, pasi vala e të nxehtit rekorde ka përfshirë Evropën.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, koncertet dhe tubimet e mëdha publike janë anuluar në departamentin Gironde rreth Bordeaux.
Të enjten, disa pjesë të Francës temperaturat arritën në 40 gradë Celsius më herët se kurrë më parë gjatë vitit, derisa temperaturat pritet të arrijnë kulmin të shtunën.
Shkencëtarët thonë se periudhat e nxehtësisë intensive po bëhen më të shpeshta dhe më të gjata si rezultat i ngrohjes globale.
Spanja, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar po përballen gjithashtu me temperatura të larta.
Në Gironde, zyrtarët thanë se ngjarjet publike, duke përfshirë disa nga festimet zyrtare të Rezistencës së 18 qershorit, do të ndalohen nga e premtja në orën 14:00 “deri në fund të valës së të nxehtit”. Ndalohen gjithashtu ngjarjet në ambiente të mbyllura në ambiente pa ajër të kondicionuar.
Megjithatë do të lejohen festimet private sikurse dasmat.
“Të gjithë tani përballen me një rrezik shëndetësor”, tha zyrtari lokal, Fabienne Buccio.
Ministria e Brendshme franceze, njoftoi njerëzit të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të mos ekspozohen ndaj motit.
Parashikuesi shtetëror “Meteo France” tha se ishte periudha më e hershme e nxehtë që ka goditur ndonjëherë vendin, e cila është shkaktuar nga një masë e ajrit të nxehtë që lëviz nga Afrika e Veriut. /Telegrafi/