Site icon Telegrafi

Vala lanson 3G, në janar 4G

Operatori i telefonisë mobile Vala ka lansuar sot 3G, me të cilën paralajmërohet se do të ofrojë internet më të shpejtë me çmime më të pranueshme për qytetarët, e një gjë e tillë është vlerësuar si një ndër storiet më të suksesshme të PTK-së, ndërsa në fillim të janarit Vala do të lansojë edhe 4G.

Mehdi Latifaj, U.D i kryeshefit të PTK-së tha se kanë arritur të implementojnë me sukses 3G, e cila tani për tani mbulohet në Prishtinë dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, por shumë shpejtë do të ketë shtrirje edhe në Vushtrri e Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj e Dukagjin.

“Kjo është edhe një storie suksesi për PTK-në. Me këtë projekt kapital, PTK jo vetëm që synon rritjen, zhvillimin dhe afarizmin edhe më të mirë teknonologjik dhe financiar, por do të përmbush në këtë mënyrë edhe misionin dhe vizionin për ofrimin e shërbimeve telekomunikuese kurdo dhe kudo që ato kërkohen nga konsumatori dhe atë me çmime të krahasueshme në treg”, ka bërë të ditur Latifaj në një konferencë për shtyp duke folur rreth nisjes së ofrimit të shërbimeve komerciale 3G/4G.

Valon Zhuniqi, drejtor i Vala-s, projekti 3G është bërë me dy prodhues të pajisjeve NOKIA Solution dhe Alcatel Lucent, ku ky i fundit është pjesëmarrësi më i madh.

“Teknologjia e cila do të përdoret për këtë shërbim është pjesë e zhvillimeve të fundit teknologjike dhe me krenari mund të themi se shumë pak operatorë botëror e kanë këtë teknologji, por më e rëndësishmja është që kjo do të ofrohet për bizneset, institucionet e ndryshme dhe konsumatorët individual në Kosovë”, ka theksuar Zhuniqi.

Vlera totale e kontratës me Alcatel është 28 milionë ndërsa me NOKIA është 3.9 milionë, dhe sipas tyre deri në mars të vitit 2015 Vala do të mbulojë të gjithë Kosovën me 3G dhe 4G. /Telegrafi/

Exit mobile version