Vapa intensive vazhdon të mbizotërojë në Evropën Jugore, me zyrtarët shëndetësorë që po i paralajmërojnë qytetarët të qëndrojnë të hidratuar.
Bëhet e ditur se erërat nga Afrika e Veriut po ndikojnë që temperaturat në Evropën Jugore të rriten, duke përfshirë Italinë dhe vendet e Ballkanit.
Tetë qytete italiane dhanë paralajmërime për vapë të madhe, me temperatura mbi 39 gradë Celsius të parashikuara në disa pjesë të vendit.
Ndërkohë, javën e kaluar, autoritetet greke u detyruan të mbyllnin Akropolin e Athinës pasi temperaturat kaluan në 40 gradë Celsius në pjesën më të madhe të Greqisë.
Siç raportohet, moti ekstrem ka prekur edhe bregdetin turk ku temperaturat janë 12 gradë më të larta se zakonisht, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, me Evropën që po përjeton temperatura në rritje, studiuesit po krijojnë nxehtësi dhe lagështi artificiale për të parë se si mund të dështojnë organet tona.
Profesori Lewis Halsey nga Universiteti i Roehampton, Londër, po hulumton se çfarë ndodh me trupin e njeriut kur ai vuan nga lodhja nga nxehtësia.
Sipas Halsey, njerëzit i përgjigjen nxehtësisë ndryshe, varësisht nga mosha, gjendja fizike apo ndërlikimet shëndetësore.
“Nëse temperatura shkon mbi 40 gradë, atëherë ne po hyjmë në një zonë rreziku”, tha profesori.
“Organet mund të fillojnë të dështojnë ose të paktën të fillojnë të punojnë më pak në mënyrë optimale. Arsyeja për këtë mund të jetë ajo që quhet denatyrim i proteinave. Kështu, forma e tyre ndryshon dhe disa prej tyre fillojnë të shkëputen”, shtoi ai. /Telegrafi/