Site icon Telegrafi

Vala e të nxehtit ka mbërritur në Evropë, temperaturat do të kalojnë 40 gradë

Evropa Jugore dhe Afrika veriperëndimore janë goditur nga një valë të nxehti që mund të thyejë temperatura rekord në ditët në vijim, sipas një raporti të BBC.

Temperaturat parashikohen të kalojnë 40 gradë Celsius në zonat e Spanjës, Francës, Greqisë, Kroacisë dhe Turqisë, transmeton Telegrafi.

Në Itali temperaturat pritet të arrijnë deri në 48.8 gradë. Një alarm i kuq është shpallur në 10 qytete, përfshirë Firencen dhe Romën.

Të martën, një burrë rreth të 40-ve vdiq pasi u rrëzua në veri të Italisë. Mediat italiane raportuan se punëtori 44-vjeçar ishte në punë duke lyer zebrat në qytetin Lodi, pranë Milanos, kur u rrëzua nga vapa. Ai u dërgua në spital, por më vonë vdiq.

Disa turistë tashmë janë rrëzuar nga goditja e nxehtësisë, duke përfshirë një britanik jashtë Koloseut në Romë.

Vapë ekstreme pritet të jetë edhe në ditët në vijim. Agjencia Meteorologjike italiane e ka quajtur këtë valë të të nxehtit “Kerber”, pas përbindëshit me tre koka.

Nga kjo zyrë thonë se temperaturat do të arrijnë kulmin të premten, ndërsa BBC Weather parashikon se pjesë të mëdha të Evropës Jugore do të kenë temperatura mbi 40C, ndoshta edhe më të larta.

Nxehtësia ka të ngjarë të vazhdojë edhe gjatë fundjavës, sipas BBC Weather. Në Pragë, kryeqyteti i Republikës Çeke, temperaturat pritet të arrijnë deri në 36 gradë të shtunën, që është dukshëm mbi mesataren prej 24 gradë për korrikun.

Rekordi për temperaturën më të lartë në Evropë prej 48.8 gradë Celsius u regjistrua pranë Sirakuzës në Siçili në gusht 2021.

Ekziston frika se kjo valë e të nxehtit mund të sjellë një numër të madh viktimash. Vitin e kaluar, më shumë se 60,000 njerëz vdiqën në Evropë për shkak të efekteve të të nxehtit dhe ekspertët kanë frikë se mund të ketë edhe më shumë vdekje këtë vit.

Vala e të nxehtit është një periudhë e temperaturave jashtëzakonisht të larta që janë mbi normale për një periudhë të caktuar të vitit.

Ekspertët paralajmërojnë se periudhat e nxehtësisë ekstreme po bëhen më të shpeshta dhe ndryshimet klimatike po çojnë në temperatura rekord gjithnjë e më të larta. /Telegrafi/

 

Exit mobile version