Telegrafi

Val Shala pretendon se policia ia shtoi karantinën në Qendrën e Studentëve edhe dy javë

Val Shala kishte ardhur nga Zvicra para 13 ditësh në Qendrën e Studentëve.

Ditën kur ai po priste lajme të mira për t’u liruar, thotë se nga policia ka marrë një lajm që aspak nuk e ka pritur.

“Nesër bëj dy javë që jam vendosur në karantinë në Qendrën e Studentëve. Kam pesë javë që nuk jam afër familjes. Kemi pritur që nesër të na bëhen analizat dhe të presim rezultatin të shtunën. Sot rreth orës 16:00 një grup prej tre-katër policësh kanë ardhur te dera dhe me një ton tepër të ashpër na kanë kumtuar lajmin se na shtyhet karantina edhe për 14 ditë të tjera”, tregon për RTV Dukagjinin i karantinuari i ardhur nga Zvicra.

Shala thotë se kanë kërkuar sqarim nga policët por të njëjtit vetëm sa e kanë mbyllur derën pa asnjë sqarim tjetër shtesë, përcjell Telegrafi.

“E kontaktuam edhe një numër nga Qendra Studentore, por të njëjtit na thanë se nuk kanë ndonjë informacion për këtë vendim”.

Ai thotë se ka kontaktuar edhe ambasadën në Zvicër por që ata i kanë thënë se duhet të ishte në karantinë vetëm 15 ditë.

I karantinuari thotë se në bazë të njoftimeve pritet që edhe disa hyrje tjera të mbyllen në konvikte dhe të kufizohet edhe më tej qarkullimi i tyre brenda konvikteve./Telegrafi/