Telegrafi

Val Kilmer mund të flasë sërish përmes një programi të inteligjencës artificiale

(Foto: Getty Images/Guliver)

Val Kilmer u diagnostikua me kancer në fyt në vitin 2014, për shkak të të cilit humbi zërin, por softueri i Sonantic arriti t’ia rikthejë zërin me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Vitet e fundit, aktori hollivudian ka pasur probleme serioze shëndetësore. Ai humbi plotësisht zërin për shkak të kancerit të fytit, me të cilin u diagnostikua në vitin 2014.

Sidoqoftë, pasi filmi i tij autobiografik u publikua, kompania britanike Sonantic mori përsipër detyrën e kthimit të zërit të 61-vjeçarit.

Kompania në fjalë ka softuerin e quajtur Voice Engine, në të cilin regjistrohen mostrat e zërit të dikujt. Pastaj, me ndihmën e inteligjencës artificiale, softuer i jep formë tingullit në mënyrë që t’i ngjajë, në këtë rast, zërit të njohur të Kilmer në ngjyrë, ritëm dhe intonacion.

Për ta realizuar këtë, u përdorën regjistrime të ndryshme të zërit të aktorit, të cilat u përpunuan dhe më pas “u tërhoqën” përmes Voice Engine dhe në atë mënyrë u formua zëri i aktorit të sëmurë, klipin e të cilit mund ta dëgjoni më poshtë.

Siç e dëgjuat, rezultati është interesant. Nëse dikush përpiqet të gjejë ndonjë dallim, me siguri që mundet, por ngjashmëria është vërtet befasuese, siç është potenciali i një programi të tillë në trajtimin e njerëzve që kanë probleme të ngjashme shëndetësore.

Në deklaratën e kompanisë thuhet se gjithçka është bërë me relativisht pak të dhëna, pra regjistrime të zërit të Kilmer, kështu që sistemi duhej të përditësohej me algoritme të reja në mënyrë që të “lexonte” tekstin e dhënë në mënyrën më të mirë. /Telegrafi/

(Foto: Instagram/valkilmerofficial)