Telegrafi

Vaksinimi për mbrojtje nga kanceri në mitër, në Kosovë pritet të nisë në vjeshtë

Vaksinimi kundër papilloma virusit (HPV), i cili shkakton kancerin e qafës së mitrës, në Kosovë pritet të nisë në vjeshtën e këtij viti.

Ministria e Shëndetësisë (MSH), në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, ka bërë të ditur se janë porositur 300 vaksina të tilla, të cilat do të sigurohen përmes UNICEF-it.

Sipas autoriteteve shëndetësore, sivjet vaksinimi do të jetë i rekomanduar për vajzat e moshës 11-15 vjeçe, ato që ende nuk e kanë filluar aktivitetin seksual dhe ato me indikacione apo predispozita gjenetike për kancer të qafës së mitrës.

Lexo po ashtu Si transmetohet virusi HPV dhe sa është i rrezikshëm? Shumica marrin ndonjë lloj gjatë jetës së tyre

“Ndërsa, vitet vijuese synohet të përfshihet si vaksinë në kuadër të programit të rregullt të vaksinimit në Kosove”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Nga ky institucion kanë folur edhe lidhur me efektivitetin e kësaj vaksine.

Duke përmendur faktin që shumë shtete kanë filluar ta përdorin dhe të dhënat e bazuara në dëshmi shkencore, nga ministria kanë thënë se vaksina kundër virusit HPV, për 90 për qind e ulë rrezikun për kancer të qafës së mitrës.

“Fakti që shumë shtete kanë filluar ta përdorin, flet se të dhënat e bazuara në dëshmi shkencore kane dhënë rezultate pozitive lidhur me sigurinë dhe efektivitetin e kësaj vaksine në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, që sipas të dhënave të ndryshme shkon në rreth 90 për qind të efektivitetit në uljen e rrezikut për kancer të qafës së mitrës”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre për Telegrafin.

Ministria e Shëndetësisë

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat HPV funksionojnë më mirë nëse administrohen përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit.

Andaj, për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon vaksinimin e vajzave të moshës 9 deri në 14 vjeçe, kur, siç thuhet, shumica nuk e kanë filluar ende aktivitetin seksual.

Por, si transmetohet virusi HPV dhe sa është i rrezikshëm?

Human papiloma Virus, ose HPV, është infeksion i cili transmetohet me kontakt fizik.

Ekzistojnë më shumë se 100 variacione të këtij virusi, nga i cili më shumë se 40 transmetohen nëpërmjet rrugëve seksuale.

Sipas të dhënave të Qendrës Amerikane të Kontrollit dhe Preventivës së Sëmundjeve, HPV është infeksioni më i shpeshtë transmetues seksual. /Telegrafi/