Telegrafi

Vaksinimi pa termine dhe ekipet mobile në qendra tregtare, vendimet e MSH-së për të nxitur qytetarët të imunizohen

Normalizimi i situatës me pandeminë COVID-19, bëri që gjatë tetorit dhe fillimit të nëntorit interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar të ishte më i ultë, ndërkaq Ministria e Shëndetësisë po vazhdon të lehtësojë procedurën për vaksinim.

Mundësia që qytetarët të vaksinohen pa termin, shpërndarja e ekipeve mobile në qendra tregtare dhe aprovimi për të lejuar vaksinimin e fëmijëve nga 12 deri në 15 vjeç janë tri vendimet e marra nga Ministria e Shëndetësisë gjatë javës së parë të tetorit.

Ministria e Shëndetësisë ka vlerësuar se tashmë një numër i konsideruar i qytetarëve të grup-moshave të ndryshme janë vaksinuar kundër COVID-19 dhe kjo e bën edhe më të lehtë menaxhimin e procesit të vaksinimit në çdo qendër, ku përmes ekipeve të vaksinimit në dispozicion, ka kapacitete për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve për vaksinim.

Prandaj, është marrë vendim që qytetarët duke filluar nga e premtja të mund të vaksinohen në cilëndo qendër të vaksinimit në Kosovë, pa termin të caktuar paraprakisht.

“Qytetarët mund të vaksinohen në secilën qendër të vaksinimit kudo në Kosovë, pavarësisht se cilës komunë i takojnë me vendbanim”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Ndërkaq të enjten, MSH ka bërë të ditur se do të fillojë dhënia e vaksinës antiCOVID-19 edhe në qendrën tregtare Albi Mall për të gjithë të interesuarit që ende nuk e kanë marrë vaksinën.

“Nga 4 nëntori, duke filluar nga ora 12:00 deri në ora 20:00 në qendrën tregtare Albi Mall do të nisë vaksinimi antiCOVID-19”, thuhet në njoftim.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së shpejti do të nisë vaksinimi antiCOVID edhe në qendra tjera tregtare në qytete tjera.

Ministria e Shëndetësisë ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim kundër COVID-19 për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç (pa indikacione shëndetësore) me vaksinën Pfizer BioNTech, me kërkesë dhe vullnet të prindit apo kujdestarit ligjor.

MSH në njoftimin e bërë për media thotë se, vaksinimi i kësaj grup-moshe mund të bëhet në të gjitha qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, vetëm në prani të prindit apo kujdestarit ligjor, transmeton Telegrafi.

“Për vaksinimin e fëmijëve të kësaj grupmoshe, prindërit e tyre ose kujdestarët ligjor nuk kanë nevojë të caktojnë paraprakisht termin, por vetëm të paraqiten në qendrën e vaksinimit në komunën përkatëse. Ky vendim është bazuar në rekomandimet e EMA, FDA, CDC, dhe në praktikat e shumë shteteve të cilat deri tash kanë arritur shkallë të konsiderueshme të vaksinimit të fëmijëve të kësaj moshe me vaksinën kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të publikuara, Kosova që deri më tani me dy doza ka vaksinuar 41% të popullatës, qëndron mirë në raport me shtetet e Ballkanit.

Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, Komuna e Prishtinës prin me numrin më të madh të të vaksinuarve sipas vendbanimit.

Në bazë të këtyre të dhënave, në Prishtinë numri i personave që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës antiCOVID-19 është 234 mijë e 725.

Në listën prej dhjetë vendeve me më së shumti persona të vaksinuar pas Prishtinës që është e para, janë komunat: Prizren, Ferizaj, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Podujevë, Mitrovicë, Vushtrri e Suharekë.

Sipas të dhënave, numri i imunizimeve në këto komuna është: Prishtinë 234 mijë e 725, Prizren 130 mijë e 482, Ferizaj 104 mijë e 215, Gjakovë 95 mijë e 327, Pejë  89 mijë e 222, Gjilan 85 mijë e 632, Podujevë 73 mijë e 674, Mitrovicë 66 mijë e 443, Vushtrri 65 mijë e 732, Suharekë 55 mijë e 587.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen sa më shumë, e po ashtu të respektojnë masat antiCOVID.

IKSHPK-ja ka paralajmëruar se situata me pandeminë si në shtetet e rajonit mund të përkeqësohet edhe në Kosovë, prandaj ka bërë thirrje të mbikëqyret me përpikëri zbatimi i masave antiCOVID-19. /Telegrafi/