Telegrafi

Vaksinimi mobil vazhdon, do të vizitohen zonat me frekuentim të lartë dhe ato rurale

Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku ka vizituar ekipet mobile të vaksinimit në Qendrën e Vaksinimit kundër COVID-19 në Fushë Kosovë, ku kryesisht po vaksinohen qytetarë të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Bashkë me Gexhën ishin dhe Nona Zicherman – Shefe e zyrës së UNICEF-it dhe Zeinah Salahi – Shefe e USAID në Kosovë.

Në njoftim thuhet se ky angazhim po realizohet përmes bashkëpunimit në mes të QKMF-së, OJQ-së Balkan Sunflowers Kosova, USAID dhe UNICEF.

Ministrja Gexha falënderoi ekipet e vaksinimit për angazhimin e çmuar dhe vetëmohimin në këtë proces të rëndësishëm për shëndetin publik, dhe në të njëjtën kohë kërkoi mbështetjen nga secili qytetar, të bisedojnë me të afërmit që të vaksinohen sa më shpejt, tash kur ka mjaftueshëm vaksina dhe është një situatë të qetë epidemiologjike.

“Kështu mbrojmë kujdesin shëndetësor nga mbingarkesa, ekonominë nga mbyllja dhe mirëqenien tonë sociale nga kufizimet.

Vaksinimi mobil do të vazhdojë pa ndërprerje me një orar të kombinuar nga punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe do të vizitohen zonat me frekuentim të lartë dhe zonat rurale, për të lehtësuar kuptimisht qasjen e qytetarëve në vaksinimin kundër COVID-19, në të gjithë Republikën e Kosovës”, tha ajo. /Telegrafi/