Ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kishte thënë se me kërkesë të homologut të tij Albin Kurti do të vaksinohen edhe mësuesit e Kosovës në Shqipëri, por ofertë kjo më pas u refuzua nga Kosova pasi që Qeveria e Kosovës deklaroi se e shohin me skepticizëm ndihmën me vaksina të ofruar nga shtetet që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, është është fjala për vaksinën nga Kina dhe Rusia.
Në lidhje me këtë kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj në një deklaratë dhënë për Telegrafin tha se sindikata e tyre nuk ndërhyn në marrëveshjet mes dy shteteve, mirëpo siç tha ai e rëndësishme është që Ministria e Shëndetësisë t’ua siguroj personelit arsimor vaksinat anti-COVID-19.
“Kryekëput nuk kanë qenë vaksinat për arsimin, ne kemi bërë kërkesë që të ketë vaksina dhe për ne dhe shteti shqiptar ka qenë i gatshëm, mirëpo vaksinat ishin harxhuar dhe tash çështja për momentin mbetet e parealizuar. SBASHK-u nuk përzihet në marrëveshjet mes dy shteteve. Ka qenë angazhim i SBASHK-ut që Ministria e Shëndetësisë e jona, të gjej mundësi me kontingjentet e veta apo dhe në bashkëpunim me shtetin shqiptar, ta kenë prioritet arsimin me të vetmin qëllim që të krijohen kushte që mësimi pas kësaj pauze që dhanë të zhvillohet procesi mësimor dhe të jemi më të sigurt për ta vazhduar mësimin në shkolla.
Është çështje e Ministrisë që të sigurojë vaksinat dhe nëse krijojnë dilemat për vaksinat, sepse vaksinimi është vullnetar dhe sigurisht mund të jetë reagimi i mësimdhënësve për çështjen e vaksinimit, të cilat mund të jenë të një shteti të caktuar”, ka thënë Jasharaj.
Siç tha ai, SBASHK-u i ka dërguar një letër ministritë të MSH-së, Arben Vitia për tu takuar me qëllimin e vetëm që të diskutojnë për çështjen e vaksinave për personelin arsimor.
“Nuk kemi marr përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, edhe pse kemi dërguar kërkesë zyrtare te ministri Vitia, dhe konsiderojmë mbase ka pas shumë aktivitet dhe do të ishte mirë që ai të takohet me ne dhe t’i heqim të gjitha dilemat dhe krejt angazhimi ynë është i vullnetit të mirë, që të vaksinohet personeli arsimor. Nuk kemi ende ftesë zyrtare nga ministri Vitia, edhe pse e kemi bërë publike letrën tonë drejtuar atij për një takim”, ka thënë ndër të tjera kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. /Telegrafi/