Site icon Telegrafi

Vaksinat Pfizer dhe Moderna janë më të mirat për dozën e tretë, thotë studimi britanik

Vaksinat e prodhuesit Pfizer dhe Moderna japin rezultatet më të mira nëse merren si doza shtesë, përforcuese, ka treguar një hulumtim në Britaninë e Madhe, në të cilin janë testuar shtatë vaksina të ndryshme.

Ky është testi i parë në Mbretërinë e Bashkuar që po përpiqet t’i përgjigjet pyetjes se sa mirë funksionojnë dozat përforcuese, raporton bbc.

Britania kishte vendosur më parë t’i vaksinojë qytetarët me dozën e tretë të vaksinave të kompanive Pfizer dhe Moderna dhe rezultatet duket se e justifikojnë këtë vendim.

Të shtatë vaksinat e testuara ngritën imunitetin ndaj COVID-19 në një farë mase, transmeton Telegrafi.

Studiuesit thonë se ka shenja premtuese se doza e tretë mbron nga sëmundjet dhe vdekjet në rast të infektimit me variantin Omicron.

Rezultatet e këtij hulumtimi besohet se kanë bërë që Mbretëria e Bashkuar të porosit 114 milionë doza shtesë të vaksinave Pfizer dhe Moderna.

Në fillim të kësaj jave, drejtuesi i Pfizer tha se doza përforcuese kundër COVID-19 duhet të jepen çdo vit. /Telegrafi/

Exit mobile version