Site icon Telegrafi

Vaksina me një dozë e Johnson&Johnson kundër COVID-19 merr “dritën e gjelbër” nga rregullatori i BE-së

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka rekomanduar dhënien e një autorizimi të kushtëzuar të marketingut për vaksinën me dozë të vetme Janssen (Johnson & Johnson) për COVID-19.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, ky vendim vjen ndërsa kompania u zbuloi ligjvënësve të BE-së se vaksina nuk do të dorëzohet deri në mes të prillit.

“Pas një vlerësimi të plotë, komiteti i ilaçeve njerëzore i EMA arriti në përfundimin me konsensus se të dhënat mbi vaksinën ishin të forta dhe përmbushnin kriteret për efikasitetin, sigurinë dhe cilësinë”, citohet të ketë thënë EMA në një deklaratë.

“Me këtë mendim të fundit pozitiv, autoritetet në të gjithë Bashkimin Evropian do të kenë një mundësi tjetër për të luftuar pandeminë dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve të tyre”, shtoi Drejtori Ekzekutiv i EMA, Emer Cooke.

Ndryshe, vaksina Janssen është e katërta që miratohet nga rregullatori i BE-së, pas Pfizer/BioNTech, AstraZeneca/Universiteti i Oksfordit dhe Moderna.

Një provë klinike që përfshin mbi 44,000 njerëz në SHBA, Afrikën e Jugut dhe vendet e Amerikës Latine zbuloi se kishte një normë të efikasitetit prej 67 për qind.

Efektet anësore “ishin zakonisht të lehta ose të moderuara dhe largoheshin brenda dy ditëve pas vaksinimit”, tha EMA në deklaratën e saj.

Më të zakonshmet ishin dhimbja në vendin e injektimit, dhimbje koke, lodhje, si dhe dhimbje muskulore.

Kontrata e BE-së me Janssen u lidh në tetor të vitit 2020 dhe lejon vendet anëtare të blejnë 200 milionë doza, me mundësinë për të marrë edhe 200 milionë doza të tjera. /Telegrafi/

Exit mobile version