Site icon Telegrafi

Vaksina e Pfizer kundër coronavirusit, rezultoi 90 për qind efektive

Vaksina e Pfizer dhe BioNTech kundër coronavirusit, ka rezultuar 90 për qind efektive sipas rezultateve të para, përkatësisht pas testimit në shkallë të gjerë.

Analiza e rezultateve tregon një performancë shumë më të mirë nga se kishin shpresuar shumica e ekspertëve.

Në përgjithësi ekspertët e huaj kishin vlerësuar se një vaksinë mund të rezultojë efektive me 80 për qind, transmeton Telegrafi.

Lajmin e bëri të ditur vetë kompania, derisa thotë se nuk ka efekte anësore serioze.

“Sot është një ditë e shkëlqyer për shkencën dhe njerëzimin. Grupi i parë i rezultateve nga testimi i gjerë ofron provat fillestare të aftësisë së vaksinës tonë për të parandaluar coronavirusin”, ka thënë Albert Bourla, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Pfizer.

Lexo po ashtu Ata gjetën kohë për punë në laborator edhe ditën e dasmës: Rrëfimi për çiftin që zbuloi vaksinën 90 për qind efektive ndaj coronavirusit

“Ne jemi duke arritur këtë moment historik në programin tonë të zhvillimit të vaksinave në një kohë kur bota ka më shumë nevojë për të”, u shpreh ai.

Sipas Pfizer, mbrojtja arrihet 28 ditë pas fillimit të vaksinimit, e cila përbëhet nga dy doza.

Autoritetet kanë theksuar se furnizimet fillestare të vaksinës do të jenë të kufizuara. Rreth 50 milionë doza, të mjaftueshme për të vaksinuar 25 milionë njerëz, pritet të jenë në dispozicion deri në fund të vitit.

Prej andej, Pfizer synon të prodhojë një total prej 1.3 miliard dozash përgjatë vitit 2021.

Pfizer dhe BioNTech kanë një kontratë të vlefshme 1,48 miliard funte me qeverinë amerikane për të shpërndarë 100 milionë doza vaksinash duke filluar këtë vit. Ata gjithashtu kanë arritur marrëveshje furnizimi me Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Japoninë. /Telegrafi/

Exit mobile version