Polonia nuk do të vaksinojë të moshuarit në vend me vaksinën e AstraZeneca, ka njoftuar ndihmësi i kryeministrit.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Michal Dworczyk, i cili është i ngarkuar me vaksinimet, tha sot se vendi me 38 milionë njerëz do të përdorte vaksinën vetëm për njerëzit e moshës 18-60 pas një rekomandimi nga këshilli mjekësor i vendit.
Mbrëmjen e djeshme, këshilli mjekësor paraqiti rekomandime në lidhje me vaksinën e AstraZeneca, në bazë të së cilës u vendos që do të përdoret në Poloni për njerëzit midis moshës 18 dhe 60 vjeç.
Një hap i tillë thuhet se vjen pasi ekspertët mjekësorë gjermanë dhe austriakë rekomanduan javën e kaluar që nuk duhet të përdoret tek njerëzit e moshës 65 vjeç ose më lart, duke përmendur mungesën e të dhënave.
Sidoqoftë, Agjencia Evropiane e Barnave autorizoi vaksinën për përdorim në të gjitha grupmoshat e të rriturve në 27 vendet anëtare – megjithëse pranoi se nuk kishte ende rezultate të mjaftueshme për njerëzit e moshës mbi 55 për të përcaktuar se sa mirë do të funksionojë vaksina – që do të thotë se Polonia do të “shkëputet” nga ai vendim. /Telegrafi/