Telegrafi

Vajzës 11-vjeçare i bënë syneti para se të martohej (Video)

Kjo gjë bëhet në disa pjesë të botës me besimin se i bën vajzat më të pastra dhe më të përshtatshme për t’u martuar. Duke kujtuar ditën kur i ndodhi kjo,

Damaris tha: “Isha te tezja ime dhe ajo dhe burri i saj më thanë që t’i nënshtrohem prerjes. Unë as që dija për çfarë bëhej fjalë, por ata më thanë se duhet që t’i nënshtrohem. Tezja më tha një natë më parë se do të ma bënin një prerje. Nuk e di nëse prindërit e mi dinin për këtë gjë apo a e kishin aprovuar”.

Qëndruan tre muaj në kasolle për t’u shëruar

Damaris, e cila nuk është shkolluar fare, tha se po ta dinte se çfarë do t’i ndodhte, do të ikte. Por, ajo dhe katër vajza të tjera ishin vendosur para shtëpisë së tezes së saj në një mëngjes dhe u urdhëruan që të ulen në gurë në drejtim të diellit që po lindte. Damaris ishte e fundit në radhë për t’u prerë nga një grua vendore dhe se aty e kuptoi se çfarë do t’i ndodhte.

“Gratë që ishin aty na thanë se nuk kemi nevojë që të frikësohemi. Ato na thanë se nuk do të ndjejmë dhimbje nëse nuk qajmë. Na thanë se nëse do të bërtisnim, familjet tona do të turpëroheshin. Na thanë që të jemi të qeta dhe të shikojmë në tokë. Nuk e dija se në cilën pjesë të trupit do të bëhej prerja. E pashë vetëm në atë moment kur isha aty dhe kur iu bë prerja vajzës së parë. Kur e pashë se për çfarë bëhej fjalë, mendova se është një gjë e keqe. E vërejta se është një gjë e padëshiruar. Mendova se ishte e keqe dhe se nuk duhej të bëhej”, ka thënë ajo.

Vajzës së parë iu bë prerja. Më pas e mbuluan me një shami dhe e lanë aty. Pastaj ia bënë gjënë e njëjtë personit të ardhshëm.

“Kur më prenë mua filloi që të rrjedhë gjaku. Isha aq shumë e stresuar, sepse ishte një gjë që nuk e kisha zgjedhur vetë. Më mbështollën me lëkurë të deles. U ulëm në gurë për një orë e më pas na dërguan në një pyll ku ato ndërtuan diçka të vogël, në formë të një shtëpie. Atje shkuam duke ecur shumë ngadalë. Kisha shumë dhimbje për shkak të prerjes dhe për shkak të faktit se këmbët i kisha të lidhura. Qëndruam në kasolle për tre muaj në mënyrë që të shërohemi. Këmbët i kishim të lidhura gjatë tërë kohës ndërsa ato përgatisnin qull për neve, sikur të ishim fëmijë të vegjël. Nuk na pëlqente kjo, por nuk e kishim mundësinë për të ikur, sepse kishim plagë dhe nuk mund të vraponim. Në fillim, gratë vinin dhe qëndronin me ne gjatë ditës, por kur gati ishim shëruar, na lanë vetëm”, ka shtuar Damaris.

“Bashkëshorti kishte kohë vetëm për alkool”

Damaris ka thënë se fati i saj i zi nuk kishte përfunduar për të për një kohë të gjatë, pasi që u detyra që të martohej me një mashkull dy herë më të vjetër se ajo.

“Në atë kohë nuk e kam ditur se prerja do të çonte drejt martesës. Kam menduar se do t’i nënshtrohem prerjes dhe më pas do të kthehesha në shtëpi”, ka thënë ajo.

Ajo tha se bashkëshorti i saj më i vjetër nuk ishte i sjellshëm me të dhe se nga ajo është pritur që martesa të konsumohet menjëherë, kur ishte ende vetëm 12-vjeçare dhe duke u shëruar nga gjymtimi gjenital.

Damaris mbeti shtatzënë dhe lindi një vajzë me emrin Chepkopus Domoren, e cila tani është 2-vjeçare. Ajo tha se bashkëshorti i saj nuk i ka trajtuar mirë ato dhe se vendosi që të ikë për t’ia ofruar një jetë më të mirë vajzës së saj dhe ta kursejë nga tmerri i gjymtimit gjenital.

“Vajza u sëmurë një ditë dhe kur i tregova bashkëshortit ai as që brengosej. Isha e vetme duke provuar që ta gjej ndonjë mënyrë për t’i ndihmuar. Sa herë që shkoja në spital bashkëshorti më thoshte se vajza nuk është e sëmurë dhe se unë po e trilloja një gjë të tillë. Ai kishte kohë vetëm për alkool”, ka thënë ajo.