Site icon Telegrafi

Policia jep detaje për 16 vjeçaren që kërceu nga kati i 8-të i një ndërtese

Polica ka dhënë detaje të reja në lidhje me vdekjen e një vajze të re, e cila ka kërcyer nga ballkoni i një ndërtese të lartë, për motive të cilat nuk dihen ende.

Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha, ka konfirmuar rastin për Gazetën Metro ndërsa ka thënë se bëhet fjalë për një vajzë të moshës 16 vjeçare.

Siç thotë Berisha, vajza ka kërcyer prej ballkonit të katit të 8’të të një ndërtese, që përafërsisht ishte rreth 25 metra lartësi.

Tutje, ai thotë se ka dëshmitarë që e kanë parë ngjarjen dhe kanë informuar emergjencën, por ishte vonë.

‘Vajza që besohet të jetë e moshës 16 vjeçare ka kërcyer prej ballkonit të katit të 8 të një ndërtese, lartësi rreth 25 metra. Kemi dëshmitarë që e kanë parë ngjarjen, ata edhe kanë informuar emergjencën e spitalit rajonal, por ka qenë vonë për fat të keq,’ tha Berisha.

Berisha ka thënë se trupi i pajetë ndodhet në morgun e Spitalit Rajonal të Prizrenit dhe pritet që së shpejti trupi të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Exit mobile version