Site icon Telegrafi

Raportoi për dhunim nga ‘hoxha’, Prokuroria ndalon të dyshuarin

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një  person në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e bërë thuhet se “i dyshuari, i paraqitur si person në këndim të Kuranit (Rukexhi) për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, dyshohet se në banesën e tij në Fushë Kosovë, gjersa kishte pranuar viktimën për ofrimin e shërbimit-trajtimin shëndetësor, i njëjti ka kryer veprën penale të lartcekur”.

Prokurori i Shtetit, ka lëshuar urdhëresë për ekzaminim mjeko-ligjor për viktimën, ndërsa brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, transmeton Telegrafi.

“Prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rastit në fjalë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Çka parasheh Neni 227 “Dhunimi” në Kodin Penal të Kosovës për të cilën vepër dyshohet “hoxha”?

Sipas këtij Neni “Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet”.

E, po ashtu, “Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual duke e kanosur me zbulimin e një fakti që do të dëmtonte rëndë nderin ose reputacionin e personit të tillë apo të personit të lidhur ngushtë me personin e tillë, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet”, thuhet në Nenin 227 të Kodit Penal të RKS-së.

Ndërkaq, sot gjatë ditës Policia kishte njoftuar se është arrestuar një person në Fushë Kosovë pasi dyshohet se kishte dhunuar seksualisht një femër.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale dhunim ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhej në raportin policor.

Telegrafi kishte raportuar se bëhet fjalë për një hoxhë në këtë qytet.

Burimet të Telegrafit bëjnë me dije se viktima kishte shkuar bashkë me nënën e saj për ndihmë te hoxha.

Siç mësohet hoxha fillimisht e ka lënë nënën e viktimës të pres, ndërsa viktimën e ka futur në një dhomë tjetër, ku më pas e ka dhunuar.

Për rastin ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës. BIK përmes një reagimi kishte thënë se personi i arrestuar në Fushë Kosovë nuk është iman dhe as teologë islam.

“Përkitazi me lajmin se sot, në komunën e Fushë Kosovës është arrestuar një hoxhë, Këshilli i BI-së në Fushë Kosovë njofton opinionin e gjerë si dhe besimtarët myslimanë, se i arrestuari në fjalë nuk është pjesë e Këshilli të BI-së, madje i arrestuari nuk është fare imam-hoxhë, e as teolog islam”, thuhej në reagimin e BIK-ut. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version