Nermin Shurdha është me profesion ekonomiste, por pasioni i saj është piktura murale. Prej disa vitesh ajo pikturon në muret e vjetra të qytetit të saj, Shkodrës, duke i shndërruar ato, por edhe duke përcjellë mesazhe. Nermini banonon në një nga pallatet e zakonshme të periudhës së komunizmit, ndaj një ditë vendosi të shdërrojë pamjen e hyrjes së pallatit duke pikturuar dhjetra libra, shumica prej të cilëve të ndaluar gjatë periudhës së komunizmit.
“Ka rreth 40 vite që janë ndërtu këto apartamente të kohës së komunizmit dhe, faktikisht, kishte pak mundësi pikturimi sepse vende-vende është i dëmtum si mur. Duhet me lujt me ngjyrat shumë për me tërhek vemendjen tek ngjyrat dhe për të shmangë difektet e murit. Zgjodha këtë pjesën e librave sepse ka variancion ngjyrash dhe temash dhe sepse çdo libër ka një motiv të ndryshëm. Dhe, normalisht, librat janë një ndër gjanat e mija të preferume.”
Edhe lapidarian e periudhës së komunizmit, që gjendet para shkollës “28 Nëntori” të qytetit, Nermini e shndërroi në një tabllo plot ngjyra dhe lule, karakteristike këto për Shkodrën.
Pikturat murale të Nermin Shurdhës nuk kanë vetëm ndriçimin e ngjyrave, por ato përcjellin edhe mesazhe të rëndësishëm për bashkqytetarët dhe vizitorët, mesazhe të cilat ajo i përzgjedh vetë. Disa prej pikturave te saj janë frymëzuar nga piktorë të mëdhej të artit botëror, siç është piktura murale në qendrën turistike të Shirokës.
“Mundohem që një përson, kur të shikojë një murale, të thotë paska dal bukur dhe të sjellin edhe një emocion. Për muralen e Shirokës, është piktura e famshme “Nata me yje” e Van Gogut, e cila është përshtatë për vendim ku është realizu. Aty ka kenë një mur rreth 15 metër prej betoni gri. Poshtë murales ka Taraboshin, Liqenin e Shkodrës, disa fusha, kalanë. Je duke pa një pjesë të Shkodrës, por tek një pikturë shumë e famshme, që e njeh e gjithë bota. Fakti që atë e shohin si shqiptarët, ashtu edhe të huajt, trasmeton edhe emocionin se këtu ka edhe elementë të Shkodrës.”
Pikturat murale të Nermin Shurdhës kanë histori të ndryshme. E tillë është edhe historia se si lindi idea e pikturës murale që paraqet krahët e një shqiponje me plot motive të traditës, e cila është pikturuar në faqen e murit, pranë një hosteli në qendër të qytetit. Pronarja e hostelit, Alma Bazhdari, thotë se pikturat murale të Nerminit përcjellin ide.
“Historia është e tillë. Nermini më tha se donte të më dhuronte diçka në hostel, një pikturë në një faqe muri. Dhe unë i thashë se po bajmë diçka ndryshe. Po ja dhurojmë Shkodrës. Kam vu re se njerëzit këtu vijnë e bajnë fotografi. Pra, kanë një motiv me ardhë në këtë qoshe, mbrapa pallatit ku ndoshta nuk do të kishin ardhë kurrë. Dhe mesazhet janë të thella. Përdor edhe motive shqiptare të folklorit dhe po i ndryshon monotoninë qytetit duke ngjyrosë muret e mundshme, pa i prishë punë kujt, duke i ba me një ide, me një qëllim.”
Si për të gjithë artistët, periudha e pandemisë ka vështirësuar krijimtarinë e Nerminit. Megjithatë, ajo thotë se ka mundur të realizojë një numër të madh pikturash murale, jo vetëm nëpër rrugët e qytetit, por edhe në mjedise të tjera private dhe publike.
Piktura murale vazhdon të jetë pak e përhapur në Shqipëri, kryesisht në Tiranë dhe së fundmi edhe në Shkodër. Nermini thote se shumë vende të botës zhvillojnë festivelin e pikturës murale, një festival që ajo dëshiron të zhvillohet edhe në Shqipëri.