Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dhënë detaje për rastin e së miturës në Drenas, A.G dhe ecurinë e hetimeve.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se Prokuroria se lidhur me rastin për dyshim të keqpërdorimit seksual ndaj të miturës nga Drenasi, A. G., ka pranuar kallëzim penal më 21.09.2017, kurse, prokurori i çështjes ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve më 10.01.2018.
Gjatë intervistimit të së miturës, është vërejtur se e njëjta e ka mohuar në tërësi deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës, më 14.09.2017, me të cilën deklaron se, gjatë gjithë kohës ka pasur keqpërdorim seksual nga i dyshuari, Sh. Xh. Përkundër insistimit të vazhdueshëm të prokurorit që e dëmtuara ta thotë të vërtetën, dhe nëse e bën të kundërtën, prokurori do të ushtrojë kallëzim penal ndaj saj, për deklarim të rrejshëm, ajo me çdo kusht i ka refuzuar të gjitha deklarimet e mëparshme, me arsyetimin se deklarata e parë e dhënë në Policinë e Kosovës, ka qenë në tërësi e trilluar.
Lexoni të plotë njoftimin e Prokurorisë në Prishtinë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin se lidhur me rastin për dyshim të keqpërdorimit seksual ndaj të miturës nga Drenasi, A. G., ka pranuar kallëzim penal më 21.09.2017, kurse, prokurori i çështjes ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve më 10.01.2018.
Prokurori i çështjes, me rastin e intervistimit të dëmtuarës së mitur, A. G., më 11.01.2018, fillimisht e ka njoftuar të njëjtën me të drejtat e saj, konform nenit 62, 63, 217 dhe 218 të KPKP-së, në praninë e përfaqësuesit ligjor (babait), mbrojtësit të viktimave, avokatit sipas detyrës zyrtare, si dhe, avokatit me autorizimin e të dyshuarit.
Gjatë intervistimit të së miturës, është vërejtur se e njëjta e ka mohuar në tërësi deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës, më 14.09.2017, me të cilën deklaron se, gjatë gjithë kohës ka pasur keqpërdorim seksual nga i dyshuari, Sh. Xh. Përkundër insistimit të vazhdueshëm të prokurorit që e dëmtuara ta thotë të vërtetën, dhe nëse e bën të kundërtën, prokurori do të ushtrojë kallëzim penal ndaj saj, për deklarim të rrejshëm, ajo me çdo kusht i ka refuzuar të gjitha deklarimet e mëparshme, me arsyetimin se deklarata e parë e dhënë në Policinë e Kosovës, ka qenë në tërësi e trilluar.
Me qëllim të grumbullimit të provave gjatë fazës së zhvillimit të hetimeve, prokurori i rastit, në bazë të kërkesën së tij, ka pranuar nga Departamenti për Mjekësi Ligjore, Ekzaminimin Gjinekologjik-Fizik për të dëmtuarën, të dt. 15.09.2017. Po ashtu, prokurori i çështjes, ka intervistuar edhe të dyshuarin, Sh.XH., më 11.01.2018, i cili në tërësi i ka mohuar pretendimet e deklaruara nga e dëmtuara, në deklaratën e parë të dhënë në Policinë e Kosovës.
Bazuar në rezultatet e të gjitha këtyre veprimeve hetimore, prokurori i rastit merr aktvendim për pushimin e hetimeve, të evidentuar me PP/II nr. 5763/17, të dt. 19.01.2018, me arsyetimin se, për rastin në fjalë, meqenëse ka pasur dy deklarata kontradiktore, dhe ekzaminimin mjeko-ligjor, i cili nuk ka rezultuar me ndonjë rezultat konkret, vjen në përfundim se në veprimet e të dyshuarit, Sh. Xh., nuk qëndrojnë elementet inkriminuese për veprën penale, Keqpërdorim seksual, nga neni 235 të KPRK-së.
Meqenëse prokurori i rastit ka pasur dy deklarata kontradiktore nga e dëmtuara, prokurori i çështjes përpilon shënim zyrtar, më 19.01.2018, me të cilën kërkon që të iniciohet procedurë hetimore ndaj të dëmtuarës, në drejtim të veprës penale, Lajmërimi apo kallëzimi i rremë, nga neni 390 par. 2 lidhur me par. 1, të KPRK-së, dhe kërkon që ky shënim zyrtar të konsiderohet kallëzim penal.
Kurse, për rastin e dytë që është duke u zhvilluar procedurë penale në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në të cilën çështje penale është e dëmtuar e njëjta, prokuroria do ta mbajë të informuara opinionin për ecurinë e rrjedhës së procedurës”. /Telegrafi/