Varrimi i Bleranda Currit, vajzës së ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bedri Curri që u aksidentua mbrëmë për vdekje në Fushë-Kosovë do të bëhet sot në orën 16:00 në varrezat e fshatit Korreticë të Drenasit.
Bleranda 19 vjeçare ishte fëmiu i vetëm i ish-ushtarit të UÇK-së që u vra më 21 prill të vitit të shkuar me një plumb në kokë, dhe i cili dyshohet se ishte dëshmitar i Gjykatës Speciale.
Familja Curri aktualisht nuk ka dyshime se mbesa e tyre është vrarë qëllimisht, njofton Klan Kosova.
Kurse, familja e Admir Salihut personit i cili aksidentoi për vdekje, Blerandën jeton në fshatin Baks të Skënderajt.
Nga ana tjetër, edhe policia ka dhënë detaje përmes raportit ditor për aksidentin e mbrëmshëm në Fushë-Kosovë.
Sipas policisë deri tek aksidenti ka ardhur nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës nga i dyshuari, i cili e ka goditur këmbësoren.
“Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor i ndihmës së shpejtë. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti me urdhër të prokurorit dërgohet në mbajtje ndërsa trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, thonë në polici.
Në ndërkohë, njëri nga përfaqesuesit e familjes së 24 vjeçarit i cili e shkaktoi aksidentin që i kushtoi me jetë Blerandës pritet që rreth orës 13:00 të shkojë tek familja Curri për t`u pajtuar.