Telegrafi

Vajza e Hamdi Sopës: Babi u rrëzua në mëngjes në banjo

Dyshimi i bazuar i prokurorit Blerim Isufaj është se të pandehurat T. Sopa, bashkëshortja e të vrarit Hamdi Sopa, dhe dy vajzat e tyre, A. dhe E. Sopa, më 29 janar 2013 rreth orës 16:05, në banesën e tyre në Prishtinë, për motive ende të panjohura e kanë privuar nga jeta bashkëshortin, gjegjësisht babanë e tyre.

Viktimën e kanë qëlluar dy herë me thikë në regjionin e barkut, ku i janë shkaktuar plagët shpuese, e pastaj i njëjti është munduar ta kapë thikën, i është prerë dora nga tehu i saj. Në fund, viktima është goditur edhe me një mjet të fortë prerës në pjesën e pasme të kokës, e cila plagë ka qenë vdekjeprurëse.

“Të pandehurat më vonë e fshehin thikën nën lavatriçe dhe viktimën e hedhin nga kati i tetë i banesës në tokë. Me çka, ato kanë kryer veprën penale të bashkëveprimit në vrasje të rëndë”, thuhet në aktvendimin për paraburgim, të cilën e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.

Tri të pandehurat u paraqitën të mërkurën para gjykatësit të procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Vehbi Kashtanjeva, i cili ua caktoi secilës masën e paraburgimit prej një muaji.

Prokurori Isufaj, në kërkesën për masën e paraburgimit, ka thënë se të pandehurat mund të ndikojnë në dëshminë e dëshmitarëve, të cilët deri më tani janë dëgjuar nga prokuroria dhe ata të cilët nuk janë dëgjuar.

E pandehura T. Sopa, në deklarimin para gjykatësit paraprak, fillimisht e kundërshtoi kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, duke shtuar se kategorikisht e mohon veprimet inkriminuese të përshkruara nga prokurori me aktvendimin për fillimin e hetimeve.

“Unë nuk i kam shkaktuar kurrfarë lëndimesh të ndjerit, pasi që me të kam pasur raporte shumë të mira bashkëshortore dhe po ashtu nuk dyshoj se vajzat e mia e kanë bërë një gjë të tillë”, ka thënë e veja e viktimës.

Mbrojtësi i saj, avokati Florim Vërtopi, para gjykatës ka thënë se dyshimi i bazuar nuk është argumentuar fare nga prokuroria dhe se nuk ka prova se e mbrojtura e tij dhe dy të pandehurat e tjera janë kacafytur me të ndjerin, pasi që nuk ka shenja në trupin e viktimës.

Vërtopi ka shtuar se nuk ekziston rreziku i ikjes së të pandehurës, e cila është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe tashmë e ka dorëzuar pasaportën. Po ashtu, avokati Vërtopi i tha gjykatës se e dyshuara nuk ka mundësi të ndikojë në dëshmitarë, pasi që ata nuk kanë të bëjnë fare me veprën që ajo akuzohet.

A. Sopa, e dyshuara tjetër në këtë çështje, para gjykatës e ka kundërshtuar caktimin e masës së paraburgimit me arsyetimin se ajo nuk i ka shkaktuar lëndime prindit të saj. “Raportet me babain i kam pasur deri në fund shumë të mira”, është shprehur ajo.

Ajo i ka thënë gjykatësit se rreth 40 minuta para se prindi i saj të binte nga ballkoni, ajo i është afruar dhe ka biseduar me të. “E pyeta ‘çka po bën’, e ai mu përgjigj: ‘Kam dal për të marr ajër’. Me këtë rast, unë nuk kam vërejtur se ka pasur plagë”.

“Më herët kur ka qenë në banjo, e kemi sjellë në krevat në sallon; ka pasur disa plagë. Në atë moment kur i kam ngritur pizhamen e sipërme kam vërejtur se në bark dhe në afërsi të kërthizës ka gjak, por nuk e kam mundur ta vërej nëse është plagë”, ka thënë A.

Ajo shtoi se nuk ka njohuri lidhur me thikën e gjetur në vendin e ngjarjes dhe se nuk e di arsyen dhe shkakun e rënies së prindit të saj nga ballkoni.

Mbrojtësi i saj, avokati Ramë Gashi, e kundërshtoi po ashtu masën e caktimit të paraburgimit. Gashi tha se klientja e tij dyshohet për një vepër që e ka kryer ndaj prindit të saj. “Për të ekzistuar dyshimi i bazuar duhet të ekzistojë edhe motivi i bazuar… Nuk ka vrasje të rëndë pa një motiv të fortë”, deklaroi ai.

Sipas tij, nuk ka asnjë arsye për caktimin e paraburgimit pasi që e dyshuara ka mundur të ikë pasi që është kryer krimi, por ajo ka qëndruar dhe i ka thirrur fqinjët që ta ndihmojnë.

E dyshuara e fundit, E. Sopa, po ashtu e kundërshtoi kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, duke shtuar se ajo nuk është e përfshirë fare në këtë rast.

Ajo tha se babain e saj e kishte parë një orë para se të binte nga ballkoni, duke pirë cigare, porse nuk e kishte folur me të. Sipas saj, Hamdi Sopa lëndimet i ka marrë në mëngjes kur ishte rrëzuar në banjo.

“Rreth orës 8:30, kam dëgjuar nënën duke bërtitur ‘Hamdi’. Kur kam shkuar në banjo, ai ka qenë i shtrirë në shpinë në afërsi të lavatriqes. Kam vërejtur se ai ka pasur dy gërvishtje në fytyrë, afër hundës dhe mbi pizhamen e sipërme ka pasur gjak”, ka rrëfyer e dyshuara para gjykatësit paraprak.

Më pas, ajo ka treguar se ka dalë në korridor dhe ka thirrur motrën e saj me telefon, duke i kërkuar ndihmën e shpejtë, ndërsa motra tjetër tregon se ka dalë për t’i ftuar fqinjët.

Mbrojtësi i saj, avokati Fatlum Podvorica, e kundërshtoi kërkesën për caktimin e paraburgimit duke shtuar se nuk ka prova të mjaftueshme me të cilat vërtetohet dyshimi i bazuar. Sipas tij, nëse e mbrojtura e tij do të donte të arratisej do ta bënte para se të arrestohej.

Prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Blerim Isufaj pasi që i dëgjoi të dyshuarat dhe mbrojtësit e tyre, mbeti në tërësi pranë kërkesës së tij për caktimin e paraburgimit.

Palët kanë të drejtë që të paraqesin ankesë në vendimin mbi caktimin e paraburgimit në afat prej 24 orësh në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/