Vajza e Bedri Selmanit, ish-zyrtarit të lartë të PDK-së që për vite ushtroi aktivitet hotelerie në pronë të shtetit, e ka quajtur si krim ekonomik vendimin e AKP-së për të mbyllur hotelin ‘Victory’.
Mimoza Selmani, menaxhere gjenerale në hotelin e babait të saj, ka thënë në një shkrim të gjatë të postuar në profilin e saj në Facebook, se shteti “është gjunjëzuar para krimit të organizuar”.
Ajo pretendon se AKP, përmes një vendimi verbal dhe pa ndonjë dokument legjitim, ka larguar ata nga prona, dhe nuk i ka lejuar që të marrin pjesë në procesin e likuidimit, megjithëse se sipas saj, ata nuk kanë qenë qiramarrës në atë pronë por kanë pasur statusin e investitorit.
Për më tepër, në këtë kontekst, ajo thotë se vetë drejtori i zyrës rajonale të AKP-së kishte pranuar se shteti po tenton të dëmtojë Bedri Selmanin duke ndërmarrë aksion për largim nga ajo pronë.
Mimoza Selmani pretendon se ka provuar të takohet edhe me Kryeprokurorin e Shtetit Aleksandër Lumezi dhe të tjerët, porse ajo është neglizhuar.
“AKP-ja, institucioni që kishte mbi 70 vepra penale mbi bazë të korrupsionit, mitosë, besa edhe vrasjeve, kishte shpallë luftë ndaj babait tim, që kurrë në jetë nuk ka pas as edhe me të vetmen vepër penale apo jashtëligjore”, ka thënë ajo.
Të premten, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion për largimin e Bedri Selmanit nga Hotel ‘Victory’.
Policia ia ka vënë shiritat hotelit dhe ia ka kthyer pronën Agjencisë së Privatizimit, e cila ndërmarrjen Auto Prishtina, pjesë e të cilës është hoteli ‘Victory’ e ka nxjerr në shitje me anë të likuidimit.
Selmani ishte vendosur në këtë objekt me bekimin e ish-deputetit Azem Syla në vitin 1999, sa ishte ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme që drejtohej nga Hashim Thaçi. Paraprakisht, objektet e ndërmarrjes Auto Prishtina ishin përdorur nga Ministria e Mbrojtjes, deri në kohën kur UNMIK-u kishte shpërbërë këtë qeveri që nuk njihej ndërkombëtarisht.
Syla aktualisht është në paraburgim si i dyshuar për krim të organizuar dhe shpëlarje parash, pikërisht me prona të shtetit. Ndërkaq, Selmanit i janë marrë të gjitha pronat përfshirë 30 pompa të benzinës që i mbante të uzurpuara prej vitit 1999.
Ndërmarrja shoqërore “Auto Prishtina”, pjesë e të cilës është hoteli ‘Victory’ do të shitet në njësi. Selmani është i përjashtuar nga e drejta për blerjen e hotelit për shkak të mbajtjes në mënyrë të paligjshme të pronës shoqërore që nga viti 1999.