Vajza e Alexei Navalnyt, Dasha, iu bëri thirrje të dielën autoriteteve ruse që të lejojnë hyrjen e një mjeku për të trajtuar babanë e saj në burg, një ditë pasi një grup profesionistësh mjekësor paralajmëruan se Navalny është në rrezik nga dëmtimi i veshkave.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Navalny, 44-vjeçar, një kundërshtar i presidentit rus, Vladimir Putin, njoftoi një grevë urie në fund të muajit mars, në shenjë proteste ndaj asaj që ai tha se iu ishte refuzuar trajtimi i duhur i dhimbjes akute të shpinës dhe këmbës nga autoritetet e burgut.
Autoritetet e burgut thonë se ata i kanë ofruar Navalnyt kujdesin e duhur mjekësor por që ky i fundit ka refuzuar dhe ka insistuar të trajtohet nga një mjek sipas zgjedhjes së tij jashtë institucionit, një kërkesë që ata e kanë refuzuar.
“Lejoni një mjek ta shoh babanë tim”, shkroi vajza e Navalnyt në Twitter, studente në Universitetin e Stanford.
Mjekët kanë deklaruar se kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny, “do të vdesë brenda ditëve të ardhshme”, nëse nuk i jepet kujdesi mjekësor. /Telegrafi/