Një vajzë 3-vjeçare në Meksikë u shpall e vdekur dy herë në fillim të këtij muaji, pasi u zbulua se ajo ishte ende duke marrë frymë në funeralin e saj.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, familja e Camila Roxana Martinez Mendoza tani po padit spitalin e përfshirë për neglizhencë, sipas El Universal San Luis Potosí.
Camila u dërgua në spital për dehidrim më 17 gusht. Vajza po përjetonte të vjella, dhimbje stomaku dhe temperaturë.
Pas kësaj, Camila-s thuhet se iu dha paracetamol dhe u lirua nga spitali.
Por prindërit e Camila-s panë që gjendja e saj të përkeqësohej dhe një mjek privat i nxiti ta ridërgonin në spital pasi metodat e tij nuk kishin ndihmuar.
Nëna e Camila-s pohoi se stafi i spitalit e neglizhoi vajzën e saj gjatë vizitës së saj të dytë.
Ajo tha se iu desh shumë kohë për t’i dhënë oksigjen dhe u përpoqën t’i jepnin lëngje intravenoze.
“Ata nuk ia vunë sepse nuk mund të gjenin venat e saj të vogla. Më në fund, një infermiere ia doli”, ka rrëfyer Mary Jane Peralta për El Universal San Luis Potosí.
Camila u dërgua përfundimisht në një dhomë të mbyllur ku Mary nuk mund ta shihte, pohoi nëna e traumatizuar.
Më pas, vajza 3-vjeçare u konstatua e vdekur nga spitali.
“Ajo ende po më përqafonte, e morën dhe më thanë, ‘Duhet ta lini të pushojë në paqe’”, kujton Peralta.
Dhe në funeralin e Camila-s të nesërmen, Peralta vuri re kondensim në kapakun e qelqit të vajzës së saj.
Peralta sugjeroi që Camila ishte ende duke marrë frymë dhe nga të pranishmit i thanë se ajo kishte halucinacione nga pikëllimi.
Por gjyshja e Camila-s më pas e kuptoi që sytë e vajzës së re po lëviznin.
Vajza e “vdekur” thuhet se kishte rrahje zemre prej 97 rrahje në minutë.
Pas kësaj, Camila u dërgua me urgjencë në një spital ku u deklarua e vdekur për herë të dytë.
Rrahjet e zemrës së saj ranë në 35 rrahje në minutë në ambulancë, sipas nënës së saj.
Shkaku i parë i vdekjes u rendit si dehidratimi, ndërsa i dyti ishte edema cerebrale, ose ënjtja e trurit. /Telegrafi/