Paralajmërimet e shumta nga faktorë vendorë dhe së fundi edhe paralajmërimit nga EFSA për rrezikun që paraqet vaji i palmës, produktet me këtë përmbajtje vazhdojnë të qëndrojnë në raftet e marketeve kosovare të pa veçuara nga produktet tjera të qumështit.
Moria e këtyre produkteve sa vjen e shtohet, duke dëmtuar kështu përveç shëndetit të konsumatorëve edhe fermerët dhe qumështarët vendorë.
Përveç disa prodhuesve vendorë që e kanë bërë bazë të produkteve vendore vajin e palmës, mallra të shumta me këtë përmbajtje hyjnë edhe nga importi.
Sipas shoqatave të fermerëve dhe qumështarëve janë rreth 30 produkte të qumështit të cilat lirshëm futen në Kosovë nga importi, e të cilat për bazë kanë vajin e palmës, ndërsa shiten si produkte me bazë e qumështit.
Shoqata e Fermerëve dhe Shoqata e Qumështarëve të Kosovës, kohë më parë e kanë dërguar në gjykatë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, për mos punë rreth parandalimi dhe kontrollit të produkteve me këtë bazë.
Megjithatë në AUV vazhdojnë të thonë se produktet në fjalë janë të sigurta për konsum.
“Këto produktet janë të sigurta për konsum dhe nuk emërtohen si produkte të qumështit, por si produktet ushqimore si dhe në deklaracionin e tyre përshkruhet përmbajtja. Këto produktet kanë certifikatë shëndetësore dhe janë të lejuara për konsum”, ka deklaruar më herët Jehona Murati nga AUV-ja.
Por kështu nuk mendojnë institucione shëndetësore ndërkombëtare.
Një studim i Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore (EFSA) tregon rezultate alarmuese. Vaji i palmës në produktet ushqimore mund të jetë kancerogjen dhe të ndryshojë materialin gjenetik!
Prof. Edmund Maser, toksikolog në Klinikën Universitare Kiel të Gjermanisë ka thënë se vaji i palmës mund të dëmtojë kromozomet, ADN-në, që korrespondojnë me nxitjen për kancer në trup.
“Atëherë për shkak që acidet yndyrore të esterit glicidil kanë potencial kancerogjen, nuk ka ndonjë dozë të sigurt të tyre. Faktikisht këto substanca janë gjenotoksike dhe nuk kanë vend në ushqim”, ka thënë ai.
Lidhur me prezencën e vajit të palmës në produktet e qumështit ka reagur edhe Instituti i Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Në këtë Institut thonë se fatkeqësisht për vitin 2016 vetëm dy analiza janë bërë për produktet e qumështit.
Instituti kërkon ndarjen e yndyrërave shtazore nga ajo bimore për të vërtetuar se a ka apo jo prezencën e vajit të palmës, mirëpo, sipas saj, AUV asnjëherë nuk ka kërkuar një gjë të tillë.
Megjitktë AUV ka vazhduar të mbetet i palëvizur në qëndrimin e vet se këto produkte janë legale.
Kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci, i ka thënë KosovaPress-it më herët se produktet të cilat janë të përbëra nga qumështi dhe kanë të zëvendësuar yndyrën shtazore me atë bimore duke e përfshirë edhe vajin e palmës, nuk janë ilegale përderisa deklarohet në etiketë përbërja e produktit dhe produkti.
Për shkak të çmimit shumë të ulët në tregun ndërkombëtar vaji i palmës është bërë produkt i preferuar i prodhuesve të papërgjegjshëm të qumështit, të cilët pastaj dëmtojnë konkurrencën duke zbritur çmimet e produkteve finale.
Këtë praktikë e ndjekin disa prodhues vendorë, por edhe shumë prodhues të huaj, mallrat e të cilëve importohen edhe në Kosovë.
Ajo që shqetëson më shumë është brenga e qumështarëve se këto produkte prezantohen rrejshëm si produkte me bazë qumështin.
Ramadan Memaj përfaqësues i qumështarëve thotë se beteja për të vërtetën në këtë fushë po bëhet e ashpër për shkak të interesave ekonomike të disa tregëtarëve dhe prodhuesve të papërgjegjshëm.
“Nga importi janë më tepër se 30 produkte të cilat permbajnë vaj të palmës dhe të cilat fshihen nën emra dhe paketime të ndryshme e të cilat kështu siç janë sot, konsumatori e ka të pamundur të i dallojë, sepse ato për nga pamja nuk dallojnë fare me produktet e qumështit”, thotë Memaj.
Ai është i brengosur edhe me faktin se këto produkte shiten bashkërisht me produktet e qumështit dhe në këtë mënyrë vëjnë në lajthitje konsumatorin.
Besim Kuçi, kryetar i Shoqatës së Fermerëve të Kosovës mendon se importi i pakontrolluar i produkteve ne vaj palme, ka shtyrë edhe disa prodhues vendorë që ta përdorin atë si bazë të produkteve të tyre, për të qenë konkurrent në treg.
Sipas tij kjo është duke i dëmtuar shumë fermerët, të cilëve u rrezikohet veprimtaria në tërësi.
“Qumështi i lopëve tona po mbetet dhe po zëvendësohet me produktet në fjalë që vijnë nga importi e që me përmbajtje kanë vajin e palmës, dalin më lirë në treg dhe kjo dërgon në shkatërrim”, thotë Kuçi.
Dëmin që importi i produkteve në fjalë po i shkakton Kosovës, e ka shprehur edhe Klubi i Prodhuesve Vendorë. Sipas tyre produktet e importuara që prodhohen me vajin e palmës e dëmtojnë tregun kosovar në dy mënyra.
“E para, këto produkte shiten me një çmim shumë te lirë duke i bërë produktet vendore jo-konkurruese, ndërsa mënyra e dytë është, duke i keqinformuar konsumatorët për përbërjen e këtyre produkteve. Si rrjedhojë konsumatorët mendojnë se janë duke blerë produkte të qumështit, ndërsa në realitet ata janë duke konsumuar produkte të prodhuara me vaj palme”, tha Astrit Panxha – Drejtor Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve.
Shqetësimi për produktet e qumështit, të hedhura në treg, me përmbajtje vaj palme ditë më parë është ngritur në media edhe nga drejtuesi i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. /Telegrafi/