Konsumimi i një diete të shëndetshme dhe të balancuar – e cila përfshin të paktën pesë porcione pemë e perime në ditë – mund t’jua ulë rrezikshmërinë e një vdekje të parakohshme.
Ju gjithashtu mund ta rritni jetëgjatësinë duke bërë ushtrime fizike rregullisht, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, edhe ndryshimet e vogla në stil të jetesës mund t’ju ndihmojnë ta shmangni vdekjen e parakohshme. Një nga mënyrat më të mira për ta përmirësuar shëndetin e zemrës është duke e përdorur vajin e ullirit rregullisht.
Përdorimi i vajit të ullirit për gatim është një prej mënyrave më të mira për ta mbajtur zemrën të shëndetshme, thonë ekspertet e nutricionit Juliette Kellow dhe Dr. Sarah Brewer.
Ky vaj është i mbushur me polifenole dhe antioksidues të cilët punojnë për t’i parandaluar dëmet që i shkaktohen zemrës.
Veç kësaj, vaji i ullirit përmban edhe acid oleik, që mund të ndihmojë në zvogëlimin e kolesterolit.
Vaji i ullirit është prej përbërësve kryesorë të dietës Mesdhetare, ndërkaq njihet edhe për përfitime tjera shëndetësore, siç është ngadalësimi i sëmundjeve që ndërlidhen me moshën, zvogëlimi i shtypjes së gjakut, përmirësimi i funksionit kognitiv, etj.
Madje, përfitimet nuk ndalen këtu – disa hulumtime thonë se ky vaj ka aftësinë edhe për t’i parandaluar disa lloje të caktuara të kancerit. /Telegrafi/