Pas më shumë se një dekadë hulumtimesh, është zbuluar që ushqimi me përqindje të lartë të yndyrave mund të ndikojë në tru dhe ta çrregullojë neurogjenezën, procesin i cili krijon qelizat e reja nervore, transmeton Koha.net.
Shkencëtarët nga Universiteti në Lipverpool kanë zbuluar që ushqimi i pasur me acidet yndyrore omega-3, si vaji i peshkut, mund të ndalojë ndikimin negativ duke stimuluar zonën në tru e cila kontrollon ushqimin, mësimin dhe kujtesën.
“Konsumi i tepruar i makronutrientëve të caktuar, si sheqeri i rafinuar dhe yndyrat e ngopura në ushqimin e shpejtë çon deri te pesha e tepërt trupore, çrregullimi i metabolizmit, ndërsa ndikon edhe në proceset mentale. Këto ndryshime mund të shihen në strukturën e trurit dhe në mundësinë e krijimit të qelizave të reja nervore, çka potencialisht e lidh trashjen me sëmundjet neurodegjenerative. Acidet yndyrore omega-3 mund të ndërrojnë ose ndalin këto ndikime”, ka deklaruar Lucy Pickavance, një nga hulumtuesit.
Hulumtimi ka treguar që ushqimi me përqindje të lartë të yndyrave ndërpret sekretimin e hormonit i cili mbron neuronet dhe stimulon rritjen e tyre. Acidet yndyrore omega-3 e kthejnë sekretimin e hormonit në gjendjen normale, luftojnë kundër qarkullimit të rritur të molekulave inflamatore dhe triglicerideve, dhe nxisin rritjen e qelizave nervore. /Telegrafi/