Telegrafi

Vajgl: Mickoski tha se do të bashkëpunojë me pushtetin për reformat evropiane

Raportuesi për Maqedoni në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgl pas takimit me liderin e opozitës, Hristijan Mickoski, tha se ka marrë besim se opozita do të jetë konstruktive për reformat e nevojshme për BE, njofton AIM nga Brukseli.

“Theksova se është interes i rëndësishëm i Parlamentit Evropian dhe imi si raportues për Maqedoninë që vendi të vazhdojë në rrugën drejtë BE-së dhe BE-ja ta mbaj premtimin që të hap bisedimet në qershor, ndërsa Mickoski tha se do të bashkëpunojë me Qeverinë për reformat dhe Kuvendin lidhur me anëtarësimin në BE dhe se do të jetë partner i besueshëm”, tha Vajgl.

Mickoski përsëriti kritikat e partisë së tij për marrëveshjen e Prespës, por Vajgl nuk beson se OBRM-PDUKM do të rrezikojë marrëveshjen nëse ai vjen në pushtet.

Vajgl tha se situata në Greqi drejtë marrëveshjes së Prespës është më kritike, edhe pse ai shpreson se të gjithë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e saj./Telegrafi/